Plani i Izraelit për kapjen e Gazës duhet të ndalet menjëherë, thotë komisionari i OKB-së
Plani i Qeverisë së Izraelit për marrje të plotë nën kontroll ushtarak të Gazës do të shkaktojë më shumë vdekje e vuajtje dhe duhet të ndalet menjëherë, tha të premten shefi për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara, Volker Turk.
Zyrtari i OKB-së tha në një deklaratë se ky plan bie ndesh me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se Izraeli duhet t’i japë fund pushtimit sa më shpejt që është e mundshme, me realizimin e zgjidhjes me dy shtete për të cilën ka pajtim dhe me të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kabineti politik i sigurisë i Izraelit të premten herët miratoi një plan për marrjen nën kontroll të Qytetit Gaza, përderisa vendi po i zgjeron operacionet ushtarake pavarësisht nga shtimi i kritikave brenda e jashtë vendit për luftën shkatërruese që ka nisur para gati dy vjetëve.
Më herët, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të enjten se Izraeli synon që ta marrë kontrollin ushtarak të tërë Rripit të Gazës.
“Sipas të gjitha dëshmive deri më tani, ky përshkallëzim i mëtejmë do të rezultojë në më shumë zhvendosje masive me forcë, më shumë vrasje, më shumë vuajtje të papërballueshme, shkatërrim të pakuptimtë dhe krime mizorie” – tha komisionari i OKB-së.
“Në vend se ta intensifikojë këtë luftë, Qeveria e Izraelit duhet t’i vendosë të gjitha përpjekjet te shpëtimi i jetëve të civilëve të Gazës duke e lejuar rrjedhjen e plotë dhe të pakufizuar të ndihmave humanitare. Pengjet duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte nga grupet e armatosura palestineze” – shtoi ai./Nacionale