Plaçkitje vdekjeprurëse ndaj homoseksualëve në Brazil, po joshen në internet - NACIONALE

Plaçkitje vdekjeprurëse ndaj homoseksualëve në Brazil, po joshen në internet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ishte 12 Qershori, Dita e Dashurisë në Brazil. Leo Nunes, 24 vjeç, kishte kaluar disa ditë duke kontaktuar me dikë që kishte njohur në një aplikacion të popullarizuar për takime mes homoseksualësh, para se ta caktonin takimin e parë në lagjen e shtresës së mesme, Sacoma, në Sao Poulo.

Një kamerë sigurie e kapi pamjen kur dy burra hipur në motoçikletë u shfaqën në rrugicën ku ai ishte duke pritur, ia morën telefonin dhe e qëlluan për vdekje, raporton agjencia “Reuters”.

Familja Nunes, e cila i ndau me agjencinë “Reuters” hollësitë e hetimit, tha se një i dyshuar është arrestuar. Policia në Sao Paulo tha se ishte duke e hetuar sulmin si grabitje që ka rezultuar në vrasje, por nuk ofroi të dhëna të mëtejme ose nuk vërtetoi që ishte bërë një arrestim.

Nunes ishte njëri nga të paktën pesë burra homoseksualë që janë vrarë nga marsi i këtij viti, pasi kishin planifikuar takime përmes aplikacioneve në Brazil, sipas raportimeve të mediave. Dhjetëra viktima të tjera kanë treguar në rrjete sociale se si kanë pësuar nga grabitjet e armatosura, pasi ishin joshur nga profile të rreme në aplikacionet për takime mes homoseksualëve.

Policia gjithashtu ka paralajmëruar për “takime dashurie” që përfshijnë burra heteroseksualë që janë joshur e më pastaj bëhen viktima të rrëmbimeve, pa ofruar shifra.

Vargu i vrasjeve dhe sulmeve e ka tundur komunitetin e homoseksualëve në Brazil, që është i madh dhe i gjalë, por prapë i kujdesshëm ndaj gjendjes së sundimit të ligjit. Ky ngurrim e bën komunitetin shënjestër për kriminelët, sipas tre personave që thanë se ishin sulmuar si dhe sipas mbrojtëve të të drejtave të komunitetit LGBT.

“Për shkak të homofobisë strukturore, kriminelët e dinë që njerëzit LGBT janë të cenueshëm. Ata e dinë se këta do të frikësohen më lehtë” – tha Wanderley Montanholi, avokat i familjes së Heleno Veggi Dumba-s, mjek homoseksual që u gjet i vdekur në prill në Sao Paulo, pasi ishte qëlluar me plumb në kokë. Avokati thotë se Dumba është vrarë nga kriminelë gjatë një grabitjeje në tentativë, pasi ata e kishin joshur për të shkuar në atë që në të vërtetë ishte pritë përmes një aplikacioni për takime.

Policia në Sao Paulo tha se kishte arrestuar tre të dyshuar për vdekjen e Dumbas dhe ata janë duke u mbajtur, në pritje të gjykimit. Autoritetet refuzuan që të jepnin më shumë hollësi./Nacionale

Lajme të ngjashme