Pezullimi i ndihmave ushtarake të ShBA-së për Ukrainën, vjen reagimi i Kremlinit
Kremlini ka thënë se nëse ShBA-ja i ndërpret ose i pauzon ndihmat ushtarake për Ukrainën, “ky ndoshta do të jetë kontributi më i mirë për kauzën e paqes”.
Në konferencën e tij të përditshme me gazetarë, zëdhënësi i Kremlinit u pyet nga redaktori i BBC-së për Rusinë, Steve Rosenberg, për një reagim ndaj vendimit të Shtëpisë së Bardhë për t’ia pezulluar ndihmat ushtarake Ukrainës.
“Natyrisht, ne ende duhet t’i kontrollojmë hollësitë. Nëse është e vërtetë, atëherë ky është një vendim që vërtet do të mund ta shtynte regjimin e Kievit drejt një procesi të paqes” – tha Peskovi pak më herët.
Në një konferencë për gazetarë të martën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha: “Ne jemi në një epokë të riarmatosjes.”
Bashkimi Evropian planifikon që t’i lejojë shtetet anëtare t’i rrisin shpenzimet në fushën e mbrojtjes pa e shkaktuar aktivizimin e mekanizmave të BE-së kundër deficitit buxhetor.
Për më tepër, parashikohen 150 miliardë euro hua për investime të mbrojtjes në fusha nga të cilat mund të përfitojë BE-ja si tërësi, për shembull mbrojtja ajrore dhe raketore e sistemet kundër dronëve./Nacionale