Pesë të vrarë nga sulmi rus me raketë në Samar të Ukrainës
Një sulm rus me raketë të premten la të vrarë të paktën pesë njerëz dhe plagosi më shumë se 20 të tjerë në qytetin industrial Samar, në pjesën juglindore të Ukrainës, thanë zyrtarët. Ky ishte sulmi i dytë ndaj qytetit brenda tre ditëve.
Së paku katër prej të plagosurve ishin në gjendje të rëndë dhe u dërguan në spital, tha në rrjetin “Telegram” guvernatori rajonal, Serhiy Lysak, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zyrtarët nuk dhanë hollësi të menjëhershme për dëmin e shkaktuar në qytet, ku një sulm ndaj një objekti të paidentifikuar të infrastrukturës të martën la të vrarë dy njerëz.
Qindra kilometra në jug, në rajonin Kherson, autoritetet u bënë thirrje banorëve të premten që të përgatiteshin për periudha të gjata pa energji elektrike, pasi një objekt kyç i energjisë u godit nga një sulm rus.
Guvernatori Oleksandr Prokudin në rrjetin “Telegram” tha se “rusët vendosën që ta zhysin rajonin në errësirë”.
Javëve të fundit Rusia i ka shtuar sulmet ndaj qyteteve ukrainase, sidomos ndaj kryeqytetit Kiev, më shumë se tri vjet pas fillimit të pushimit të plotë të vendit fqinj.
Forca ajrore ukrainase tha se Rusia kishte hedhur 363 dronë me rreze të gjatë dhe tetë raketa gjatë natës së kaluar, duke e vënë në shënjestër qytetin e vogël perëndimor, Starokostiantyniv, ku ndodhet një bazë e rëndësishme ajrore. Nuk pati hollësi rreth dëmeve./Nacionale