Pesë të vrarë nga përleshjet mes përkrahësve të Khanit e forcave të sigurisë në Paksitan - NACIONALE

Pesë të vrarë nga përleshjet mes përkrahësve të Khanit e forcave të sigurisë në Paksitan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të paktën pesë pjesëtarë personeli të policisë dhe paraushtarakëve janë vrarë dhe dhjetëra njerëz janë lënduar në Pakistan, pasi mijëra përkrahës të ish-kryeministrit të burgosur, Imran Khan, i kaluan me forcë pengesat e sigurisë dhe hynë në kryeqytetin Islamabad të martën në mëngjes.

Autoritetet kanë zbatuar izolim sigurie në kryeqytet për të paktën tri ditë, pasi Khani u bëri thirrje përkrahësve të partisë së tij PTI që të marshonin drejt Kuvendit për ta kërkuar lirimin e tij, raporton gazeta “The Guardian”.

Deri të martën në mëngjes, u raportua se mijëra përkrahës të ish-kryeministrit i kishin kaluar pengesat dhe kishin hyrë në Islamabad, ku po marshonin drejt “zonës së kuqe”, pjesë në qendër të kryeqytetit ku ndodhen ndërtesa e Kuvendit dhe ndërtesa të tjera diplomatike.

Protestuesit po drejtoheshin nga bashkëshortja e Khanit, Bushra Bibi, e cila është liruar rishtazi nga burgu, dhe ndihmësi kyç i tij, Ali Amin Gandapur, i cili është kryeministër rajonal në provincën bastion të PTI-së, Pakhtunkhwa.

Ministri i Punëve të Brendshme, Mohsin Naqvi, kishte paralajmëruar më herët se përkrahësit e Khanit nuk do të lejoheshin që të arrinin te Kuvendi dhe se Qeveria do të detyrohet që të përdorë hapa “të skajshëm”, nëse mbështetësit e ish-kryeministrit bëjnë përpjekje që ta realizojnë këtë qëllim, ku do të përfshiheshin vendosja e orës policore ose dislokimi i ushtrisë. “Ne nuk do t’i lejojmë ata që t’i kalojnë vijat tona të kuqe” – kishte thënë Naqvi.

Sipas tij, Qeveria i ka ofruar PTI-së një fushë jashtë Islamabadit që ta mbajë protestën e saj dhe se oferta i ishte dërguar Khanit në qelinë e burgut, por ende po prisnin një përgjigje.

Kërkesa kryesore e PTI-së në protestë është lirimi i Khanit, duke hedhur akuza se ai po mbahet në burg si i burgosur politik dhe se qindra akuzat kundër tij janë të shpikura nga kundërshtarët politikë.

Lajme të ngjashme