Përsëri luftime mes Tajlandës e Kamboxhias: Vritet një banor, evakuohet një fshat - NACIONALE

Përsëri luftime mes Tajlandës e Kamboxhias: Vritet një banor, evakuohet një fshat

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Kamboxhia të enjten evakuoi qindra njerëz nga një fshat përgjatë kufirit të kontestuar me Tajlandën, një ditë pasi një banor i fshatit u raportua i vrarë pas shpërthimit të të shtënave mes forcave të të dyja vendeve.

Të shtënat e së mërkurës ndodhën dy ditë pasi një ushtar tajlandez e humbi këmbën nga një minë tokësore, përderisa ishte duke patrulluar në një zonë tjetër të kufirit. Tajlanda e fajësoi Kamboxhian për shpërthimin dhe njoftoi se do ta pezullonte zbatimin e kushteve të armëpushimit të ndërmjetësuar pjesërisht nga presidenti amerikan, Donald Trump, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Mosmarrëveshjet kufitare mes dy fqinjëve të Azisë Juglindore çuan në një konflikt të armatosur 5-ditor në fund të korrikut, kur u vranë dhjetëra ushtarë e civilë. Megjithatë, tensionet mbetën të larta edhe më pas. Shumë prej kushteve të një marrëveshjeje më të hollësishme të armëpushimit, e cila u nënshkrua muajin e kaluar, nuk janë zbatuar ende.

Një burrë nga Kamboxhia, i identifikuar si Dy Nai, u raportua i vrarë nga të shtënat e së mërkurës, ndërsa tre persona të tjerë u plagosën.

Rreth 250 familje nga fshati Prey Chan i Kamboxhias, ku ndodhën të shtënat, u evakuuan në një tempull budist rreth 30 kilometra larg kufirit, tha një zyrtar rajonal.

I njëjti fshat ishte vend i një ballafaqimi të dhunshëm por jo vdekjeprurës në shtator mes personelit tajlandez të sigurisë dhe fshatarëve kamboxhianë./Nacionale

Lajme të ngjashme