Përpos rusëve, Ukrainës në jug i dalin edhe disa armiq tjerë të vegjël – karkalecat - NACIONALE

Përpos rusëve, Ukrainës në jug i dalin edhe disa armiq tjerë të vegjël – karkalecat

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një përhapje masive e karkalecave po i rrezikon të mbjellat me lule dielli dhe bimë të tjera në rajonet jugore të Ukrainës, e shkaktuar kryesisht nga lufta e Rusisë, e cila po e bën të pamundshëm përdorimin e metodave tradicionale të kontrollit të insekteve dëmtuese, thonë zyrtarët dhe kultivuesit.

Karkalecat, të cilët mund të shkatërrojnë sipërfaqe të mëdha të mbjellash brenda disa ditëve, tradicionalisht shtohen në vende të veçuara përgjatë lumenjve ose në zona të pakultivuara dhe kontrollimi i tyre është pothuajse i pamundshëm në rajonet që janë afër vijës së frontit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Situata është ndërlikuar nga temperaturat e larta rekorde këtë verë, pamundësia për të përdorur aeroplanë për kontrollimin e karkalecave si dhe mungesa e zogjve – ngrënësit natyrorë të tyre – të cilët po i shmangin zonat e luftimeve.

Zyrtarë lokalë e qeveritarë refuzuan që të ofronin të dhëna për nivelin e përhapjes së karkalecave ose për dëmin e shkaktuar deri më tani. Ukraina është eksportuesja më e madhe në botë e lulediellit dhe para luftës renditej e pesta në mesin e vendeve eksportuese të grurit.

Turmat e karkalecave po “pushtojnë” rrugë, fusha e shkurre në rajonin Zaporizhia dhe fermerët thonë se këto insekte kanë shkatërruar deri një të tretën e të mbjellave të tyre me lule dielli.

“Pamë një turmë të madhe. Të nesërmen, “këmbësoria” marshoi. Të vegjlit, ata hëngrën gjithçka që po varej poshtë, hëngrën gjithçka” – tha Oleh Tolmatov, 46 vjeç, banor i fshatit Kushuhum në rajonin Zaporizhia.

“Arsyeja për tërë këtë janë temperaturat e larta, arsyeja për tërë këtë është toka e braktisur, arsyeja për tërë këtë është agresioni rus në të njëjtën kohë” – tha Vadym Chaikovskyi, kryeinspektor sanitar.

Denys Marchuk, nënkryetar i sindikatës më të madhe bujqësore në Ukrainë, UAC, tha se shkatërrimi i digës “Kakhovka” në Lumin Dnipro nga trupat ruse para dy vjetëve ka krijuar zona të mëdha moçalore ku po shtohen karkalecat.

Ukraina thotë se Rusia e hodhi në erë digën “Kakhovka” në verën e vitit 2023, duke lënë bosh mijëra kilometra katrorë të ish-rezervuarit dhe duke i lënë pa ujë fermat dhe centralin më të madh të energjisë bërthamore në Evropë./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme