Përplasen dy trena në Indonezi, të paktën katër të vdekur
Dy trena u përplasën në ishullin Java të Indonezisë të premten, duke shkaktuar shtypje të vagonëve e përmbysje të tyre. Zyrtarët thanë se të paktën katër persona kanë vdekur.
Aksidenti ndodhi rreth 500 metra larg stacionit të trenit në Cicalengka, në provincën e Javës Perëndimore, tha Ayep Hanapi, zëdhënës i kompanisë shtetërore të hekurudhave, “PT Kereta Api Indonesia”, raporton agjencia “Associated Press”.
Ai tha se treni ekspres “Turangga” ishte duke bartur 287 pasagjerë nga Surabaya, kryeqytet i provincës së Javës Lindore, kur u përplas me trenin e udhëtarëve “Bandung Raya”, në të cilin ndodheshin 191 pasagjerë, rreth orës 6 e 30 minuta në mëngjes.
“Të gjithë pasagjerët e dy trenave të përplasur janë evakuuar në mënyrë të sigurt”- tha Hanapi, duke shtuar se 28 persona kanë pësuar lëndime. Ai tha se 22 prej tyre po trajtoheshin në një spital, kryesisht me lëndime në kokë.
Zëdhënësi i policisë në Javën Perëndimore, Ibrahim Tompo, tha se të paktën katër anëtarë të ekuipazhit të trenave vdiqën – drejtuesi dhe asistenti I tij në trenin e udhëtarëve dhe një shërbyes/e e një rojë sigurie në trenin ekspres.
Zëdhënësja e Ministrisë së Transportit, Adita Irawati, kërkoi falje për aksidentin dhe për pengesën ndaj shërbimeve hekurudhore në ishullin Java.
Ajo tha se shkaktari i aksidentit ishte duke u hetuar dhe se ekipet e shpëtimit i kishin evakuuar të gjithë pasagjerët e po punonin për t’i larguar trenat e përplasur nga binarët për ta rikthyer shërbimin e transportit.