Përleshje për gati 14 orë në Iran mes shtetit e militantëve, rreth 30 të vrarë - NACIONALE

Përleshje për gati 14 orë në Iran mes shtetit e militantëve, rreth 30 të vrarë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën 29 persona u vranë në pjesën juglindore të Iranit nga përleshjet mes forcave qeveritare dhe militantëve të grupit “Jaish al-Adl”, i cilësuar organizatë terroriste nga Irani dhe disa shtete perëndimore, përfshirë ShBA-në.

Zyrtarë të sundimit të ligjit u thanë mediave lokale se përleshjet zgjatën gati 14 orë, duke lënë të vrarë 11 trupa qeveritare dhe 18 militantë në qytetet Rask, Sarbaz dhe Chabahar. Zëvendësministri i Brendshëm e konfirmoi vdekjen dhe plagosjen e personelit të sigurisë dhe shtoi se shifra e viktimave mund të rritet te të dyja palët, raporton Radio “Evropa e Lirë”.

Alireza Daliri, nënkomantant i forcave të sigurisë në provincën Sistan-Baluchistan, tha se militantët gjithashtu kishin krijuar një situatë të marrjes së pengjeve, por se kjo përfundoi me të gjithë sulmuesit të vrarë. Nuk qe e qartë nëse këto viktima ishin pjesë e shifrave të përmendura më herët nga zyrtarët.

Grupi “Jaish al-Adl”, i cili gjoja kërkon më shumë të drejta për pakicën etnike baluçe, operon kryesisht në provincën juglindore Sistan-Baluchistan, por dyshohet se është i pranishëm edhe në Pakistanin fqinj.

Gjatë një sulmi të militantëve ndaj selisë rajonale të Rojave Revolucionare Islamike dhe bazave të policisë ushtarake në Rask dhe Chabahar, u vranë të paktën pesë pjesëtarë të personelit të sigurisë, sipas raportimeve.

Ky incident vdekjeprurës është ballafaqimi më i ri domethënës mes forcave iraniane dhe grupit “Jaish al-Adl”, pas një sulmi në një stacion policor më 20 janar, për të cilin kjo organizatë e mori përgjegjësinë dhe ishte vrarë një pjesëtar i forcave të rendit.

Anëtarët e komunitetit baluç, shumë prej të cilëve janë myslimanë sunitë në Iranin me shumicë shiite, për një kohë të gjatë janë ballafaquar me diskriminim dhe dhunë nga autoritetet.

Ajo zonë, që kufizohet me Afganistanin dhe Pakistanin, është përdorur gjithashtu për një kohë të gjatë si rrugë transit për lëndë narkotike të kontrabanduara nga Afganistani për t’u dërguar drejt Perëndimit e përtej tij.

Lajme të ngjashme