Përleshje mes ushtrisë siriane e SDF-së së drejtuar nga kurdët në Aleppo, ka të vrarë
Të paktën dy civilë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga një valë sulmesh në qytetin verior sirian Aleppo të hënën. Forcat qeveritare dhe Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët e fajësuan njëra-tjetrën për këto raste fatale.
Ministria e Shëndetësisë tha se dy njerëz u vranë dhe disa të tjerë u lënduan nga predhat e hedhura nga SDF-ja në drejtim të lagjeve të banimit në qytet. Në mesin e të lënduarve ishin dy fëmijë dhe dy punëtorë të mbrojtjes civile, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Disa orë më herët, ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, tha gjatë një vizite në Damask se SDF-ja duket se nuk e ka për qëllim respektimin e zotimit për t’u integruar në forcat e armatosura shtetërore sipas afatit për të cilin palët kishin bërë marrëveshje – deri në fundin e këtij viti.
Turqia e cilëson SDF-në e përkrahur nga Shtetet e Bashkuara si organizatë terroriste dhe ka paralajmëruar veprime ushtarake, nëse grupi nuk e respekton marrëveshjen me autoritetet e reja siriane.
“Ne po i dëgjojmë zhurmat e predhave të artilerisë e mortajave dhe është një prani e madhe ushtarake në shumicën e zonave të Alepos” – tha një dëshmitar në qytet. Një dëshmitar tjetër tha se zhurma e sulmeve ishte shumë e fortë, duke e përshkruar situatën si “të tmerrshme”.
Mohamed Abdel Ghany, shef për siguri të brendshme në Aleppo, tha se forcat ishin duke punuar për evakuimin dhe garantimin e sigurisë për civilët në lagjet që ishin nën sulm.
Agjencia shtetërore siriane e lajmeve, SANA, duke e cituar Ministrinë e Mbrojtjes, raportoi më herët se SDF-ja kishte nisur një sulm të papritur ndaj forcave të sigurisë dhe ushtrisë në lagjet Sheikh Maqsoud dhe Ashrafiyah të Alepos, duke rezultuar në persona të lënduar.
SDF-ja e mohoi këtë dhe tha se sulmi u krye nga fraksione të lidhura me qeverinë siriane, duke shtuar se këto grupe po përdornin tanked he artileri kundër lagjeve të banimit në qytet.
Ministria e Mbrojtjes i mohoi deklaratat e SDF-së, duke thënë se ushtria po u kundërpërgjigjej burimeve të zjarrit nga forcat kurde./Nacionale