“Përhapje iluzionesh”: Netanyahu akuzohet nga brenda për qëllime joreale rreth pengjeve
Përçarje të reja po dalin në pah mes zyrtarëve të lartë izraelitë rreth menaxhimit të luftës kundër Hamasit në Gaza. Një anëtar i kabinetit të luftës hodhi dyshime për strategjinë për lirimin e pengjeve, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu i refuzoi thirrjet e ShBA-së për ta zvogëluar ofensivën.
Ish-komandanti i ushtrisë izraelite, Gadi Eisenkot, njëri nga katër anëtarët e kabinetit të luftës, tha në deklaratat e para publike rreth rrjedhës së luftës se vetëm një marrëveshje armëpushimi mund ta sigurojë lirimin e dhjetëra pengjeve që po mbahen ende nga militantët në Gaza dhe se pretendimet që ata mund të lirohen në mënyra të tjera janë përhapje e iluzioneve, raporton agjencia “Associated Press”.
Komentet e Eisenkotit të enjten vonë janë shenja më e re e mosmarrëveshjes mes udhëheqësve politikë e ushtarakë për drejtimin e ofensivës së Izraelit ndaj Hamasit, tashmë në muajin e katërt.
Duke folur gjatë një konference për gazetarë të enjten, Netanyahu e përsëriti kundërshtimin e tij të vjetër ndaj zgjidhjes me dy shtete, duke argumentuar se një shtet palestinez do të bëhej platformë për sulme ndaj Izraelit.
Në anën tjetër, duke folur të mërkurën në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, tha se zgjidhja me dy shtete është mënyra më e mirë për ta mbrojtur Izraelin, për t’i bashkuar shtete e moderuara arabe dhe për ta izoluar armikun e Izraelit, Iranin. Sipas tij, pa një rrugë drejt një shteti palestinez, Izraeli “nuk do të marrë siguri të vërtetë”.
Një zëdhënës i presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, i cili e udhëheq Autoritetin Palestinez, tha të enjten vonë se “nuk mund të ketë siguri dhe stabilitet në rajon” pa një shtet palestinez.
Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, kanë thënë se luftimet do të vazhdojnë derisa të shtypet Hamasi dhe argumentojnë se vetëm veprimet ushtarake mund ta sigurojnë lirimin e pengjeve.
Hamasi kërkon që t’i jepet fund luftës para se të diskutohet lirimi i pengjeve dhe e ka kërkuar lirimin e mijëra palestinezëve të burgosur nga Izraeli në këmbim të lirimit të atyre që po mbahen peng në Gaza.
Komentuesit kanë filluar të pyesin nëse qëllimet e Netanyahut janë realiste, duke e marrë parasysh ritmin e ulët të ofensivës dhe shtimin e kritikave ndërkombëtare, përfshirë akuzat për gjenocid në gjykatën botërore të OKB-së, të cilat Izraeli i mohon kategorikisht.
Kundërshtarët e Netanyahut e akuzojnë atë për shtyrje të diskutimeve për skenarët e pasluftës me qëllim të shmangies së hetimeve për dështimet qeveritare, për ta mbajtur të paprekur koalicionin e tij e për t’i shtyrë zgjedhjet. Sipas anketave, popullariteti i Netanyahut ka rënë shumë gjatë luftës.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli