Përdoruesit e Facebook-ut mund të paguhen nga kompania Meta - NACIONALE

Përdoruesit e Facebook-ut mund të paguhen nga kompania Meta

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Përdoruesit e rrjetit Facebook, të cilët kanë pasur llogari në çfarëdo kohe mes majit të vitit 2007 dhe dhjetorit të vitit 2022, mund të aplikojnë për pjesën e tyre nga një marrëveshje e kompanisë “Meta” për dhënien e 725 milionë dollarëve për çështjen e privatësisë.

Në dhjetor, kompania “Meta” u pajtua që të jepte dëmshpërblim pas një padie katërvjeçare, ku kompania akuzohet për lejimin e qasjes në të dhënat personale të miliona përdoruesve për kompaninë “Cambridge Analytica”, kompani për analizimin e të dhënave, e cila e kishte përkrahur fushatën presidenciale të Donald Trumpit më 2016 në ShBA, raporton gazeta “The Independent”.

Pas marrëveshjes, një formë aplikimi është bërë e qasshme për përdoruesit e Facebook-ut në ShBA, të cilët kanë pasur llogari aktive mes 24 majit të vitit 2007 dhe 22 dhjetorit të vitit 2022.

Për të marrë një pjesë të dëmshpërblimit, përdoruesit duhet ta plotësojnë aplikacionin në mënyrë elektronike para 25 gushtit të këtij viti. Procesi është i thjeshtë dhe i shpejtë dhe përdoruesve u kërkohen emri, adresa, adresa elektronike, numri i telefonit, adresa elektronike e lidhur me llogarinë e tyre në Facebook dhe emri i përdoruesit në Facebook.

Më pas, përdoruesve u kërkohet që ta zgjedhin mënyrën e parapëlqyer për pranimin e pagesës përmes platformave të ndryshme si MasterCard.

Përdoruesit e Facebook-ut që duan ta dorëzojnë aplikacionin përmes postës, mund ta bëjnë këtë duke e shtypur aplikacionin dhe duke e dërguar në adresën: Facebook Consumer Privacy User Profile Litigation, c/o Settlement Administrator, 1650 Arch Street, Suite 2210, Philadelphia, PA 19103.

Deri më tani, sasia e pagesës për individë nuk është përcaktuar, sepse shuma do të varet nga numri i përdoruesve që dorëzojnë aplikacione dhe nga ajo se për sa kohë ka pasur secili përdorues llogari në rrjetin e njohur social, sipas CNBC-së. Në çerekun e katërt të vitit 2022, rrjeti kishte 2,96 miliardë përdorues aktivë në muaj në mbarë botën, sipas faqes për të dhëna tregjesh e klientësh, “Statista”.

Nuk është e qartë se kur mund ta presin pagesën përdoruesit, por në uebfaqe thuhet se seanca përfundimtare për miratimin e marrëveshjes për këtë rast pritet të mbahet më 7 shtator 2023.

Lajme të ngjashme