Përçarje në NATO, presidentët e Hungarisë dhe Sllovakisë s’shkojnë në samitin e Rigës
Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, tha të martën se udhëheqësit e vendeve lindore të NATO-s do të kenë një qasje më të bashkërenduar ndaj përkrahjes së Ukrainës, pasi presidenti i Hungarisë, Tamas Sulyok, nuk mori pjesë në samitin e Rigës.
Kjo përçarje i vë në pah qasjet e ndryshme ndaj Rusisë dhe Ukrainës në mesin e vendeve të Evropës Qendrore, përderisa kryeministri hungarez, Viktor Orban, po vazhdon që të mbajë lidhje të ngushta me Rusinë dhe po refuzon që t’i japë armë Ukrainës, raporton agjencia “Reuters”.
Rinkevics-i tha se presidenti hungarez e anuloi udhëtimin në samitin e Nëntëshes së Bukureshtit, grup i vendeve evropiane në krahun lindor të NATO-s, në fundjavë.
“Gjëja më e rëndësishme është që ne të kemi një qasje më të bashkërenduar ndaj samitit të Uashingtonit (të NATO-s), kur bëhet fjalë për mbështetjen për Ukrainën, kur bëhet fjalë për fuqizimin e kapaciteteve të aleancës” – tha presidenti leton para takimit.
Zyra e presidentit hungarez nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Edhe presidentja e Sllovakisë, Zuzana Caputova, e anuloi udhëtimin e saj në Rigë “në minutën e fundit”, tha zyra e presidentit leton.
Sllovakia i ndërpreu ndihmat ushtarake për Ukrainën, kur vitin e kaluar erdhi në pushtet qeveria e kryeministrit Robert Fico.
Ministria e Jashtme e Sllovakisë i tha agjencisë “Reuters” se mandati i presidentes Caputova përfundon këtë javë, ndërsa Fico nuk mund të marrë pjesë, sepse është duke e marrë veten nga atentati që e la të plagosur muajin e kaluar.