Përçarje në Izrael, dy ministra dalin kundër dy të tjerëve për largimin e banorëve të Gazës - NACIONALE

Përçarje në Izrael, dy ministra dalin kundër dy të tjerëve për largimin e banorëve të Gazës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy anëtarë të kabinetit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, përfshirë një nga partia e tij, të enjten dolën kundër përkrahjes që është shprehur nga kolegët e tyre për vendosjen e banorëve të Gazës jashtë kësaj enklave, duke e cilësuar këtë politikë si jorealiste dhe të dëmshme ndaj pozicionit ndërkombëtar të Izraelit.

Ministri i Kulturës dhe Sportit, Miki Zohar, dhe ministrja pa portofol, Yifat Shasha-Biton, shprehën kritika ndaj thirrjeve të ministrit të Financave, Bezalel Smotrich, dhe ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, për “emigrim vullnetar” të banorëve të Gazës, pasi Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Franca e Gjermania thanë se “dëbimi” i palestinezëve është shkelje e së drejtës ndërkombëtare, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Duke këmbëngulur në përkrahjen e tij për nxitjen e “emigrimit vullnetar” të popullsisë së Gazës për në shtete të tjera si pjesë e vizionit të tij për periudhën pas luftës, ministri Smotrich të mërkurën pretendoi se “mbi 70 për qind e publikut izraelit sot përkrah” një “zgjidhje [të tillë] humanitare”, por nuk tregoi ndonjë burim për këtë statistikë.

Sidoqoftë, ministri Zohar, anëtar i partisë Likud të Netanyahut, është kundër kësaj ideje. “Nuk është realiste dhe është e qartë se komuniteti ndërkombëtar nuk do ta pranojë atë... Me gjëra si kjo, edhe nëse keni besim ose qëllim si ky, ai nuk mund të diskutohet e të debatohet prapa dyerve të mbyllura”- tha ai.

“Është e qartë se nuk është askush në Izrael që nuk do të ishte i lumtur, nëse banorët e Gazës do të vendosnin që të emigronin vullnetarisht, nëse do të ishin të gëzuar për t’u larguar”, por kjo nuk është as për së afërmi realiste dhe një diskutim publik për këtë temë është i padobishëm, shtoi ai, duke theksuar: “Ne i shohim pasojat, shohim se çfarë ndodhi me amerikanët.”

Departamenti i Shtetit i ShBA-së i quajti të martën “nxitëse e të papërgjegjshme” komentet e ministrave Smotrich e Ben Gvir në kohën e shtimit të zemërimit të Uashingtonit me qeverinë e së djathtës së ashpër të Netanyahut.

Ministrja Shasha Biton gjithashtu i kritikoi thirrjet e dy kolegëve të saj, duke thënë: “Mendoj se Smotrich-i dhe Ben Gvir-i nuk e kuptojnë madhësinë e përgjegjësisë që bie mbi krahët e tyre.”

Lajme të ngjashme