Pentagoni thotë se sulmet amerikane e kanë kthyer prapa “1 deri në 2 vjet” programin bërthamor të Iranit - NACIONALE

Pentagoni thotë se sulmet amerikane e kanë kthyer prapa “1 deri në 2 vjet” programin bërthamor të Iranit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pentagoni ka mbledhur material të inteligjencës që lë të kuptohet se programi bërthamor i Iranit është kthyer prapa për një deri në dy vjet si rezultat i sulmeve amerikane ndaj tri qendrave kyçe muajin e kaluar, tha në një konferencë për gazetarë zëdhënësi kryesor i Departamentit të Mbrojtjes.

Zëdhënësi Sean Parnell e përsëriti pretendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, se qendrat bërthamore kyçe të Iranit janë shkatërruar tërësisht, edhe pse nuk ofroi hollësi të mëtejme për prejardhjen e vlerësimeve, përpos që tha se një gjë e tillë buron nga brendësia e Departamentit të Mbrojtjes, raporton gazeta “The Guardian”.

“Ne e kemi degraduar programin e tyre për një deri në dy vjet” – tha Parnelli në konferencën për gazetarë të mbajtur në Pentagon. “Të paktën, vlerësimet e inteligjencës brenda Departamentit (të Mbrojtjes) vlerësojnë kështu” – shtoi ai.

Përshkrimi i sulmeve nga zëdhënësi amerikane shënoi një vlerësim më të matur se pohimet e Trumpit për nivelin e shkatërrimit. Në një raport me besim të ulët të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA), i cili është mbështetur në vlerësime të hershme, thuhet se programi bërthamor i Iranit është kthyer prapa disa muaj.

Ndryshimi i përshkrimeve për nivelin e dëmit të shkaktuar ndaj programit bërthamor të Iranit vjen në kohën kur agjencitë amerikane të inteligjencës kanë vazhduar që të sjellin vlerësimeve të reja, duke përdorur materiale që sugjerojnë se centrifugat në qendrën bërthamore “Fordow” janë shkatërruar, edhe pse ishte e paqartë nëse vetë objekti ka kolapsuar.

Sidoqoftë, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, e cila është pjesë e OKB-së, tha të dielën se Irani mund të jetë duke prodhuar uranium të pasuruar brenda disa muajve.

Vërtetimi i nivelit të dëmit ndaj programit bërthamor të Teheranit u bë më i vështirë të mërkurën, pasi Irani futi në fuqi një ligj të ri për pezullimin e bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, e cila nga ky shtet është akuzuar se ua mban anën vendeve perëndimore dhe se i ka justifikuar sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit./Nacionale

Lajme të ngjashme