“Pati gjëra shumë të bukura për të thënë për Turqinë”: Erdogani e fton Trumpin për vizitë
Presidenti turk, Rexhep Erdogan, e ka ftuar për vizitë në Turqi homologun e tij të ri amerikan, Donald Trump. Sipas Erdoganit, amerikani foli në mënyrë shumë pozitive për Turqinë gjatë një bisede telefonike.
Fitorja e Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane këtë javë u prit përgjithësisht në mënyrë pozitive në Turqi. Tregjet shënuan ngritje dhe disa zyrtarë u shprehën optimistë me masë të caktuar për mundësinë e politikave të reja ekonomike në ShBA, raporton agjencia “Reuters”.
Erdogani u tha gazetarëve gjatë kthimit nga një samit evropian në Budapest se ai shpreson që Trumpi do ta pranojë ftesën për ta vizituar Turqinë dhe se shpreson që një vizitë e tillë do ta fuqizonte bashkëpunimin mes dy vendeve dhe do të çonte në një marrëdhënie “ndryshe nga mandati i kaluar [i Trumpit]", kur përplasja për disa çështje e kishte nxitur Uashingtonin që të vendoste masa që e kishin dëmtuar ekonominë e Turqisë.
“Ne patëm një telefonatë të sinqertë me z. Trump, përderisa ai ishte në një darkë familjare [ku ishte edhe] Elon Musk dhe fëmija i Muskut” – tha Erdogani për telefonatën e së mërkurës, sipas një komunikate zyrtare turke.
“Ai pati gjëra shumë të bukura për të thënë për Turqinë në lidhje me periudhën në vijim. Ne e ftuam atë në vendin tonë. Shpresoj që pranon” – shtoi ai.
Bashkëpunimi i Ankarasë me Shtëpinë e Bardhë nën udhëheqjen e Trumpit mund të ndihmojë edhe për zgjidhjen e krizave rajonale, tha presidenti turk, i cili e ka udhëhequr Turqinë për më shumë se 21 vjet në atë që kundërshtarët e quajnë stil gjithnjë më autoritar, por Erdogani e mohon akuzën.
Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nuk e vizitoi Turqinë gjatë mandatit të tij, ndërsa vizita e planifikuar e Erdoganit në Shtëpinë e Bardhë në fillim të këtij viti nuk u realizua, duke i vënë në pah marrëdhëniet e ftohta.
Pas fitores së Trumpit, vlera e lirës turke arriti në nivelin më të lartë në disa javë, ndërsa vlera e aksioneve në bursën e Stambollit është rritur për më shumë se 5 për qind.
Ministri i Tregtisë i Turqisë, Omer Bolat, tha të enjten se ai pret që Trumpi t’i ulë taksat ndaj eksporteve turke të çelikut dhe tekstilit, edhe pse republikani ka premtuar se do të vendosë taksa prej 10 për qind ndaj të gjitha mallrave të importuara./Nacionale