Pasi e takoi Netanyahun, Harrisi thotë se nuk do të rrijë e heshtur ndaj vuajtjeve në Gaza
Kamala Harris, nënpresidentja amerikane që pritet të jetë kandidate e Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, i ka bërë trysni kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për gjendjen “e llahtarshme” humanitare në Gaza në një takim mes tyre, duke shtuar: “Unë nuk do të rri e heshtur.”
Pas takimit me kryeministrin izraelit, zonja Harris tha: “Ajo që ka ndodhur në Gaza në nëntë muajt e kaluar është shkatërruese. Pamjet e fëmijëve të vdekur dhe njerëzve dëshpërimisht të uritur duke ikur për siguri, nganjëherë të zhvendosur për herë të dytë, të tretë ose të katërt”, raporton gazeta “The Guardian”.
Ajo pranoi se “Izraeli ka të drejtë për ta mbrojtur veten” dhe Hamasin e përshkroi si organizatë terroriste brutale që e ka nxitur luftën dhe që ka kryer “akte të tmerrshme të dhunës seksuale”, por bëri të qartë se ka rëndësi se si Izraeli e mbron veten, duke shtuar më vonë: “Ne nuk mund ta largojmë shikimin përballë këtyre tragjedive [në Gaza]. Ne nuk mund ta lejojmë veten që të bëhemi të mpirë para vuajtjeve dhe unë nuk do të rri e heshtur.”
Nënpresidentja amerikane bëri thirrje për themelimin e një shteti palestinez dhe që Izraeli e Hamasi të pajtohen për një marrëveshje për armëpushim e lirim të pengjeve për t’i dhënë fund luftës, për të cilën ajo tha se kishte çuar në vdekjen e shumë civilëve të pafajshëm. “Siç porsa i thashë kryeministrit Netanyahu, është koha që të kryhet kjo marrëveshje” – tha zonja Harris.
Para takimit me Harrisin, Netanyahu ishte pritur në Zyrën Ovale nga presidenti amerikan, Joe Biden. Sipas Shtëpisë së Bardhë, dy udhëheqësit diskutuan “në hollësi” për bisedimet për armëpushim dhe lirim të pengjeve dhe Bideni “e shprehu nevojën për t’i mbyllur dallimet e mbetura, për ta finalizuar marrëveshjen sa më shpejt që është e mundshme, për t’i sjellë pengjet në shtëpi dhe për të arritur një përfundim të qëndrueshëm të luftës në Gaza”.
Komentet e forta të Harrisit të enjten, të cilat ishin të mprehta e serioze për nga toni, e pasqyruan atë që mund të jetë largim nga pozicioni i Bidenit rreth trajtimit të Netanyahut.
Gjatë takimit, zonja Harris e përmendi zhvendosjen e përsëritur të palestinezëve që nga fillimi i luftës. Ajo gjithashtu solli ndër mend se si fëmijë kishte mbjellë drurë për Izraelin dhe tha se si senatore e Kalifornisë ka pasur “përkushtim të palëkundur ndaj ekzistencës së shtetit të Izraelit”.