Pashiniani thotë se Armenia ballafaqohet me luftë, nëse s’i jep Azerbjaxhanit disa zona të kontestuara
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian, ka thënë se vendi i tij mund të ballafaqohet me luftë me Azerbajxhanin, nëse nuk bën kompromis me Bakunë rreth kthimit të disa territoreve strategjike azere që Armenia i ka kontrolluar nga pjesa e parë e viteve të nëntëdhjeta.
Pashinian foli të hënën gjatë një takimi me banorë të zonave kufitare në rajonin verior armen, Tavush, afër një vargu të fshatrave boshe azere që Jerevani i ka kontrolluar që nga fazat fillestare të konfliktit tredekadësh mes dy vendeve në fillim të viteve të nëntëdhjeta, raporton agjencia “Reuters”.
Agjencia TASS e citoi Pashinianin të ketë thënë: “Tani ne mund të largohemi nga këtu, le të shkojmë e t’i themi [Azerbajxhanit] se jo, ne nuk do të bëjmë asgjë. Kjo nënkupton se një luftë do të fillojë në fund të javës.”
Pashiniani disa herë ka sinjalizuar javëve të fundit se është i gatshëm që t’ia kthejë këto fshatra Azerbajxhanit, që janë të rëndësishme për Jerevanin, pasi ato e kontrollojnë rrugën kryesore drejt veriut, në kufirin me Gjeorgjinë.
Azerbajxhani ka thënë se kthimi i tokave të tij është një parakusht i nevojshëm për arritjen e një marrëveshjeje të paqes për t’u dhënë fund tri dekadave të konfliktit për rajonin e Nagorno-Karabakut, që Azerbajxhani e rimori nën kontroll në shtatorin e vitit të kaluar.
Të dyja palët kanë thënë se dëshirojnë që të nënshkruajnë një traktat të paqes, por bisedimet kanë ngecur në çështje si demarkacioni i kufirit 1000-kilometërsh mes dy vendeve, i cili është i mbyllur dhe shumë i militarizuar.
Edhe Armenia, edhe Azerbajxhani vazhdojnë që të kenë nën pushtim toka që nga komuniteti ndërkombëtar njihen si pjesë të palës tjetër.