Pasagjeri me mbipeshë në vështirësi brenda aeroplanit, nxit debat mes komentuesve
Një fotografi e një pasagjeri me mbipeshë që dukej në vështirësi për t’u përshtatur në ulësen e aeroplanit ka nxitur debat në internet për atë nëse udhëtarët me përmasa të tilla trupore duhet të paguajnë edhe një ulëse shtesë.
Burri u fotografua nga një pasagjer tjetër, përderisa e kishte vështirë të ulej në ulësen e tij gjatë një fluturimi nga Helsinki i Finlandës për në Kopenhagë të Danimarkës të hënën.
“Ky burrë u ul prapa meje gjatë fluturimit tim nga Helsinki për në Kopenhagë dje” – shkroi personi që e bëri fotografinë, raporton “Daily Mail”.
“U ndjeva keq për të dhe për personin pranë tij, në ulësen e mesme, të dy sigurisht janë ndier shumë jo rehat për fluturimin e shkurtër. Ndoshta është koha që kompanitë ajrore t’i adresojnë situatat si kjo dhe mënyrë të kujdesshme dhe të ndjeshme” – shtoi ai.
Sipas tij, pasagjerët e tjerë detyroheshin që të ngushtoheshin gjatë ecjes drejt tualetit.
Disa komentues thanë se personi me mbipeshë duhet të paguajë një ulëse shtesë që të mos përplaset me njerëzit e tjerë.
“Pavarësisht nga arsyeja pse dikush është me mbipeshë, nëse është, duhet të blejë një ulëse shtesë. Ky nuk është diskriminim, është kërkesë e sigurisë” – tha një komentues.
Një tjetër shkroi: “Njësoj si çantat e kontrolluara, duhet të ekzistojë një kufi i peshës për pasagjerë në një ulëse dhe ai kufi duhet të mbështetet në madhësinë dhe klasën e ulëses.”
Megjithatë, disa komentues të tjerë thanë se kjo çështje duhet të jetë përgjegjësi e kompanive ajrore dhe e prodhuesve të aeroplanëve për ta rritur madhësinë e ulëseve, përderisa njerëzit bëhen më të mëdhenj gjatë gjeneratave.
“Kompanitë ajrore duhet të ndërhyjnë. Njerëzit nuk janë gjedhe, prapëseprapë kështu kujdesen kompanitë ajrore për ta. Udhëtimi dikur ishte i këndshëm (edhe në klasën ekonomike), por tani vetëm ata që mund t’i përballojnë klasën e parë ose biznes trajtohen si njerëz” – shkroi një komentues./Nacionale