Pas zotimit të Trumpit për vazhdimin e sulmeve ndaj Iranit, nafta shtrenjtohet për mbi 7 për qind - NACIONALE

Pas zotimit të Trumpit për vazhdimin e sulmeve ndaj Iranit, nafta shtrenjtohet për mbi 7 për qind

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Çmimet e naftës u shtrenjtuan për më shumë se 7 për qind të enjten, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se do t’i vazhdojë sulmet ushtarake kundër Iranit, duke nxitur frikë për pengesa të gjata në furnizimin me naftë.

Çmimi i një fuçie me naftë të papërpunuar në bursën “Brent” u rrit për 7,65 dollarë ose 7,6 për qind dhe shkoi në 108,81 dollarë për fuçi, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Çmimi i një fuçie me naftë të papërpunuar në bursën “West Texas Intermediate” në ShBA u rrit për 7,06 dollarë ose 7,1 për qind dhe shkoi në 107,18 dollarë për fuçi.

Çmimet në të dyja këto bursa ishin rrugës për rritjen më të madhe ditore, edhe në aspektin absolut, edhe në përqindje, në tri javët e fundit, edhe pse qëndruan nën nivelin prej 119 dollarësh, i cili ishte arritur më herët gjatë konfliktit.

“Ne do t’i godasim tepër fort gjatë dy ose tri javëve të ardhshme. Do t’i kthejmë në Epokën e Gurit, ku përkasin” – paralajmëroi Trumpi, duke iu referuar udhëheqësve iranianë.

Edhe pse ai theksoi disa herë gjatë një fjalimi para publikut amerikan se lufta është afër përfundimit, ishte e paqartë se si do të marrë fund konflikti.

Gazeta “The New York Times” raportoi se disa agjenci amerikane të inteligjencës kanë vlerësuar ditëve të fundit se pushteti në Iran tani për tani nuk është i gatshëm që të angazhohet në bisedime substanciale.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë gjatë fjalimit nuk dha hollësi për ndonjë hap që do të çonte në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, rrugë shumë e rëndësishme detare nëpër të cilën para luftës kalonte rreth një e pesta e dërgesave globale të naftës. Qarkullimi i anijeve nëpër këtë ngushticë është ndërprerë pothuajse tërësisht./Nacionale

Lajme të ngjashme