Pas vizitës në Kiev, Blinkeni shkon në Poloni, priten diskutime për ndihmat e Ukrainës - NACIONALE

Pas vizitës në Kiev, Blinkeni shkon në Poloni, priten diskutime për ndihmat e Ukrainës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, do të takohet të enjten me zyrtarë të lartë qeveritarë polakë për të diskutuar rreth mbështetjes për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë dhe për thellimin e bashkëpunimit të Uashingtonit me Varshavën në fushën e mbrojtjes.

Kryediplomati amerikan shkon në Poloni, anëtare e NATO-s, pas vizitës së një dite më parë në Kiev, ku i dëgjoi thirrjet e zyrtarëve ukrainas që vendi i tyre të lejohet të përdorë raketa të dhuruara nga Perëndimi për të sulmuar në thellësi të territorit rus, raporton agjencia “Reuters”.

Blinkeni pritet të takohet me kryeministrin e Polonisë, Donald Tusk, me presidentin Andrzej Duda dhe me ministrin e Jashtëm, Radoslaw Sikorski, sipas zyrave të tyre.

Më shumë se dy vjet e gjysmë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, forcat ukrainase janë nën trysni në fushën e betejës nga armiku më i madh e më mirë i armatosur, përderisa po mundohen t’i sprapsin avancimet ruse në pjesën lindore, ku Moska po i përqendron sulmet

Mieszko Pawlak, drejtor i byrosë për politikë ndërkombëtare në zyrën e Dudës, tha se edhe siguria në krahun lindor të Polonisë do të jetë pjesë e diskutimeve me Blinkenin.

Pushtimi rus i Ukrainës e ka bërë mbrojtjen prioritet për vendet lindore të NATO-s dhe Polonia po synon që t’i forcojë kufijtë me Bjellorusinë dhe Rusinë.

Thellimi i bashkëpunimit në fushën e energjisë gjithashtu pritet të jetë temë e diskutimeve gjatë qëndrimit të Blinkenit në Varshavë, tha të martën Departamenti i Shtetit. Pawlak tha se bashkëpunimi për energji bërthamore civile, përfshirë ndërtimin e centralit të parë bërthamor të Polonisë, gjithashtu do të jetë në agjendë.

Lajme të ngjashme