Pas tensioneve për Tajvanin, Kina do ta ndërpresë bashkëpunimin me ShBA-në në disa fusha
Ministria e Jashtme e Kinës njoftoi se ky shtet do të tërhiqet nga bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara në disa fusha. Këto masa vijnë pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi, në Tajvan, veprim që është kundërshtuar ashpër nga Pekini.
Agjencia “Reuters” raporton se në mesin e fushave në të cilat Kina do ta ndërpresë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara janë bisedimet për klimën, dialogu mes udhëheqësve ushtarakë të të dyja vendeve, bashkëpunimi në luftën kundër krimit, mekanizmat për siguri detare dhe raportet për politikat e migrimit dhe luftës kundër drogës.
Më herët, Kina njoftoi se do t’i vendosë sanksione kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi, dhe familjes së saj të ngushtë për shkak të vizitës në Tajvan.
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, tha se Pelosi “ka ndërhyrë seriozisht në çështjet e brendshme të Kinës, i ka dëmtuar seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës, e ka nëpërkëmbur seriozisht parimin “Një Kinë” dhe i ka rrezikuar seriozisht paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit”.
Kina e cilëson Tajvanin si provincë të ndarë që duhet të bashkohet me territorin kryesor edhe me forcë, nëse është e nevojshme.
Gjatë qëndrimit në Japoni, Pelosi tha se Kina nuk mund t’ua ndalojë vizitat në Tajvan zyrtarëve amerikanë.
Të premten në mëngjes, Kina dërgoi anije ushtarake dhe aeroplanë luftarakë matanë vijës së mesit të Ngushticës së Tajvanit, tha Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit.
Më herët, Kina e ftoi në takim ambasadorin amerikan, Nicholas Burns, për t’ia paraqitur protestën kundër vizitës së Pelosit. Zyrtarja e lartë u largua nga Tajvani të mërkurën, pas takimit me presidenten Tsai Ing-wen. Ajo shkoi në Kore Jugore dhe më pas në Japoni. Në të dyja këto shtete ka baza ushtarake amerikane dhe do të mund të përfshiheshin në një konflikt ku do të ishte edhe Tajvani./Nacionale