Pas të birit, thuhet se Bideni po e shqyrton faljen edhe për disa kritikues të Trumpit - NACIONALE

Pas të birit, thuhet se Bideni po e shqyrton faljen edhe për disa kritikues të Trumpit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është duke e shqyrtuar faljen e disa kritikuesve të njohur të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, si masë parandaluese ndaj hakmarrjes së mundshme të republikanit kundër tyre, i thanë televizionit CBS disa persona të afërt me këto diskutime.

Kjo është përpjekje për t’i mbrojtur ata nga hakmarrja e mundshme, pasi Trumpi është zotuar se do të dalë kundër atyre që e kanë kundërshtuar. Republikani do të inaugurohet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.

Televizioni CBS raporton se përderisa thuhet se Bideni ka bërë debat për mundësinë e faljes së disa personave me ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë, atij nuk i është rekomanduar formalisht ndonjë emër.

Burimet i kanë thënë agjencisë së lajmeve AFP se zyrtarët gjithashtu po e shqyrtojnë porosinë që do të dërgohej përmes faljes së personave që nuk kanë kryer krime, raporton televizioni BBC.

Ky raportim vjen pas kundërthënies rreth vendimit të presidentit në largim për ta falur të birin e vet, Hunter Biden, të cilit planifikohej t’i shqiptohej dënimi këtë muaj për blerje të paligjshme të armës dhe shmangie të taksave.

Republikanët dhe disa demokratë e kanë kritikuar vendimin, i cili erdhi pavarësisht premtimit të mëparshëm të Bidenit se nuk do të vepronte në këtë mënyrë.

Mediat amerikane raportojnë se në mesin e atyre që mund të jenë në radhë për falje të mundshme nga Bideni përfshihen Dr. Anthony Fauci, i cili i ka kritikuar masat e Trumpit gjatë pandemisë së koronavirusit, dhe senatori i zgjedhur i Kalifornisë, Adam Schiff, i cili e ka udhëhequr përpjekjen e parë për hetim kundër Trumpit./Nacionale

Lajme të ngjashme