Pas sulmeve ruse, Zelensky thotë se do të shpallë emergjencë energjetike
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të mërkurën se do ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në sektorin e energjisë për t’i trajtuar problemet me furnizimin me rrymë pas sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës.
Zelensky doli me këtë reagim në kohën kur ekipet emergjente i vazhduan përpjekjet për ta rikthyer furnizimin me rrymë në ngrohje pas pengesave të shkaktuara sidomos në Kiev nga një sulm rus javën e kaluar. Puna për riparime është penguar edhe nga moti ekstrem. Temperatura gjatë natës ka rënë në afro -20 gradë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Pasojat e sulmeve ruse dhe kushtet e përkeqësuara të motit janë të rënda. Në përgjithësi, gjendja e jashtëzakonshme do të shpallet për sektorin e energjisë të Ukrainës… Shumë çështje kërkojnë zgjidhje urgjente” – shkroi presidenti ukrainas në rrjetin X.
Ai tha se në Kiev do të themelohet një seli qendrore e përhershme e bashkërendimit. Puna do të mbikëqyret nga Denys Shmyhal, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i porsaemëruar i Energjisë.
Më tej, Zelensky tha se ishin duke u zhvilluar punë “për ta rritur në masë domethënëse vëllimin e importeve të energjisë në Ukrainë”./Nacionale