Pas protestave, Zelensky zotohet për mbrojtjen e agjencive kundër korrupsionit - NACIONALE

Pas protestave, Zelensky zotohet për mbrojtjen e agjencive kundër korrupsionit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u zotua të mërkurën për ruajtjen e pavarësisë së agjencive kundër korrupsionit, duke u dorëzuar para presionit nga protestat e para që nga fillimi i luftës dhe qortimeve të rralla nga aleatët evropianë.

Për ditën e dytë rresht, mijëra njerëz në pjesë të ndryshme të vendit – nga Kharkivi në verilindje deri në kryeqytetin Kiev e në Lviv në perëndim – dolën rrugëve për ta kërkuar kthimin prapa të ligjit me të cilin kufizohet pavarësia e agjencive kundër ryshfetit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes para popullit të mërkurën, Zelensky tha se do të dorëzonte një projektligj të ri për ta garantuar sundimin e ligjit për ta ruajtur pavarësinë e agjencive kundër korrupsionit.

“Natyrisht, secili e ka dëgjuar atë që njerëzit po e thonë këto ditë… në rrjete sociale, njëri-tjetrit, rrugëve. Nuk po bien në vesh të shurdhër” – tha presidenti ukrainas.

Mijëra njerëz dolën ditën e dytë për të protestuar në pjesën qendrore të Kievit, afër zyrës së Zelenskyt.

Në protestat e para të tilla që nga fillimi i luftës më 2022, të rinj, aktivistë e veteran të luftës brohoritën “Turp” dhe “Veto ndaj Ligjit”.

“Është si thikë pas shpinës, të jem e sinqertë” – tha 26-vjeçarja Maryna Mykhalchuk, e cila ka shokë të vrarë në luftë dhe planifikon të bëhet pjesë e ushtrisë së shpejti.

Edhe deputetët e opozitës dhe disa zyrtarë evropianë bënë thirrje për kthimin mbrapsht të ligjit, të cilin Zelensky e nënshkroi natën.

Ky ligj i jep kryeprokurorit të emëruar nga Zelensky më shumë kompetenca mbi dy agjenci hetuese kundër korrupsionit. Ligji u dërgua me nxitim në Kuvend të martën, një ditë pasi shërbimet e sigurisë arrestuan dy zyrtarë kundër korrupsionit nën dyshimin për lidhje me Rusinë.

Përmes një deklarate të përbashkët, të dyja agjencitë – byroja kundër korrupsionit NABU dhe prokurorët e specializuar SAPO – thanë se duan që pavarësia e tyre t’u rikthehet përmes legjislacionit.

Kuvendi pritet të mbajë një seancë të jashtëzakonshme javën e ardhshme për ta shqyrtuar projektligjin e ri të zyrës së Zelenskyt, thanë deputetët ukrainas./Nacionale

Lajme të ngjashme