Pas Norvegjisë e Spanjës, edhe Irlanda njofton për njohjen e Palestinës - NACIONALE

Pas Norvegjisë e Spanjës, edhe Irlanda njofton për njohjen e Palestinës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Irlanda do të njohë një shtet palestinez, tha të mërkurën kryeministri i këtij shteti, Simon Harris, duke shtuar se ai pret që edhe vende të tjera ta ndjekin këtë shembull në javët e ardhshme pas bisedave me udhëheqës botërorë.

“Sot, Irlanda, Norvegjia dhe Spanja po njoftojnë se ne e njohim shtetin e Palestinës” – tha Harrisi në një konferencë për gazetarë, raporton agjencia “Reuters”.

“Para njoftimit të sotëm, unë kam folur me një numër të udhëheqësve dhe homologëve të tjera dhe kam besim se shtete të tjera do të na bashkohen në bërjen e këtij hapi të rëndësishëm në javët e ardhshme” – shtoi ai.

Sipas kryeministrit irlandez, një zgjidhje me dy shtete është rruga e vetme e besueshme drejt paqes dhe sigurisë për Izraelin, Palestinën dhe popujt e tyre.

Njohja e shtetësisë së Palestinës ka jehonë të posaçme në Irlandë, duke e marrë parasysh historinë e shtetit irlandez, tha më tej kryeministri Harris.

“Duke e marrë vendin tonë në skenën botërore dhe duke u njohur nga të tjerët si posedues të së drejtës për qenë aty ishte çështje e rëndësisë më të lartë për themeluesit e shtetit tonë” – shtoi ai.

Harrisi tha se Irlanda është pa mëdyshje për njohjen e plotë të Izraelit dhe të drejtës së tij për të ekzistuar “në mënyrë të sigurt dhe në paqe me fqinjët e vet” dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve që po mbahen në Gaza.

Ministri i Jashtëm i Irlandës, Micheal Martin, njoftoi në rrjetin X se njohja e Palestinës nga vendi i tij do të futet në fuqi zyrtarisht më 28 maj.

Lajme të ngjashme