Pas kryeministrit Sunak, edhe sekretari i Jashtëm i Britanisë, Cleverly, e viziton Ukrainën
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, u takua të premten në Kiev me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të cilin e siguroi për përkrahjen britanike për vendin e goditur nga lufta, kur dimri po afrohet.
Kryediplomati britanik njoftoi për ndarjen e tre milionë funteve shtesë për një fond për Ukrainën, ndërsa ai dhe se sekretarja e Mjedisit, Therese Coffey, gjithashtu njoftuan për ndarjne e pesë milionë funteve për nismën e udhëhequr nga Ukraina për të dërguar drithëra në shtetet që ballafaqohen me mungesën e ushqimit.
“Përderisa dimri po fillon, Rusia po vazhdon të mundohet dhe ta thyejë vendosmërinë ukrainase përmes sulmeve të saj brutale ndaj civilëve, spitaleve dhe infrastrukturës së energjisë. Rusia do të dështojë”- tha Cleverly, sipas një deklarate të publikuar nga autoritetet britanike.
“Mbretëria e Bashkuar qëndron krah për krah me Ukrainën. Sot kam njoftuar një pako të përkrahjes së drejtpërdrejtë për miqtë tanë ukrainas në luftën e tyre, nga autoambulancat deri te përkrahja jetike për të mbijetuarit e dhunës seksuale të kryer nga ushtria ruse”- tha Cleverly.
Fondet e reja do të përqendrohen në zonat që janë marrë rishtazi nën kontroll nga forcat ukrainase në pjesën jugore të vendit, përfshirë rajonin Kherson, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar vlerëson se rezervistët rusë po ballafaqohen me paqartësi për atë nëse i plotësojnë kushtet për t’u rekrutuar dhe me trajnime e pajisje jo të duhura për ta.
Sipas kësaj ministrie, shumë rezervistë rusë janë vrarë në sulme frontale në zonat e mbrojtura mirë nga ukrainasit afër qytetit Bakhmut të rajonit Donetsk.
