Pas kërcënimeve të Trumpit, bëhen virale kapelat “Kanadaja s’është në shitje” - NACIONALE

Pas kërcënimeve të Trumpit, bëhen virale kapelat “Kanadaja s’është në shitje”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kërcënimeve verbale të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj Kanadasë po ua sheh hairin një ndërmarrës, pasi qasja luftarake e miliarderit i solli atij në mendje një ide.

Liam Mooney, themelues i një firme dizajnësh me seli në Otavë, bëri një kapelë me mbishkrimin “Kanadaja nuk është në shitje” si kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve të Trumpit me taksa dhe sugjerimeve të tij që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i ShBA-së, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Këto kapela morën vëmendje, pasi kryeministri Doug Ford i provincës kanadeze, Ontario, vendosi një të tillë në kokë gjatë një takimi me kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, dhe me kryeministra të tjerë provincialë javën e kaluar për të diskutuar rreth zotimit të Trumpit për t’u vënë taksa importeve nga Kanadaja.

Sipas Mooney-t, dhjetëra mijëra kapela janë porositur përmes internetit nga ajo ditë.

Ai i tha agjencisë “Reuters” se i dizajnoi kapelat si kundërshtim kreativ ndaj retorikës së presidentit amerikan, me synimin për të depërtuar përtej diskursit politik me një porosi uniteti e nacionalizmi.

“Kjo është një mundësi që t’i bëjmë njerëzit bashkë nga e tërë shoqëria civile, pavarësisht nga bindja politike” – tha më tej Mooney.

Taksat do ta dëmtonin ekonominë e Kanadasë si dhe do t’i rrisnin çmimet e naftës dhe mallrave të tjera në ShBA.

Trumpi po kërcënon me taksa pikërisht në kohën kur në Kanada ka trazira politike. Trudeau pritet të japë dorëheqje në mars pas gati një dekade në pushtet, ndërsa konservatorët opozitarë po prijnë në sondazhe para zgjedhjeve të këtij viti./Nacionale

Lajme të ngjashme