Pas kërcënimeve për sulme, presidenti i Kolumbisë e paralajmëron Trumpin: Mos e zgjo jaguarin - NACIONALE

Pas kërcënimeve për sulme, presidenti i Kolumbisë e paralajmëron Trumpin: Mos e zgjo jaguarin

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, e ka paralajmëruar homologun amerikan, Donald Trump, se rrezikon që “ta zgjojë jaguarin”, pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë la të kuptohej se cilido shtet për të cilin ai beson se është duke prodhuar drogë ilegale të destinuar për në ShBA bëhet cak legjitim për sulme ushtarake.

Gjatë një takimi të kabinetit të martën, Trumpi tha se sulmet ushtarake ndaj caqeve tokësore brenda Venezuelës “do të fillojnë shumë shpejt”. Ai gjithashtu paralajmëroi se cilido shtet që prodhon narkotikë është cak i mundshëm, duke e veçuar Kolumbinë, shtet që për një kohë të gjatë ka qenë aleat i Uashingtonit në luftën ndaj drogës, raporton gazeta “The Guardian”.

Pak më vonë, Petro u kundërpërgjigj në rrjete sociale, duke thënë: “Ta kërcënosh sovranitetin tonë është të shpallësh luftë: mos i dëmtoni dy shekuj të marrëdhënieve diplomatike.”

Petro gjithashtu e ftoi Trumpin që ta vizitonte Kolumbinë – prodhuesen më të madhe të kokainës në botë – për t’i parë përpjekjet e qeverisë së tij për shkatërrimin e laboratorëve ku prodhohet droga.

“Eja me mua dhe unë do të t’tregoj se si ato shkatërrohen, një laborator për çdo 40 minuta” – shtoi presidenti kolumbian.

Përplasja e parë mes dy presidentëve ndodhi pak kohë pasi Trumpi u rikthye në pushtet në janar, kur Petro ua refuzoi hyrjen aeroplanëve amerikanë që po transportonin kolumbianë të dëbuar nga ShBA-ja, duke këmbëngulur që ata të trajtoheshin me dinjitet.

Ai më vonë e kishte kthyer prapa vendimin, por marrëdhëniet u përkeqësuan më tej në shtator, kur, pasi kishte marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Petro iu bashkua një proteste pro-palestineze në Nju-Jork dhe u bëri thirrje ushtarëve amerikanë që të mos i zbatonin urdhrat e Trumpit për ta “sulmuar humanizmin”. Petro gjithashtu i ka kritikuar ashpër sulmet ajrore ndaj barkave të dyshuara për transportim të drogës./Nacionale

Lajme të ngjashme