Partitë e koalicionit qeveritar në Gjermani arrijnë kompromis për shërbimin ushtarak
Partnerët e koalicionit qeveritar në Gjermani njoftuan të enjten një kompromis rreth rregullave të reja për shërbimin ushtarak, element kyç i një plani më të gjerë për rindërtimin e forcave të armatosura.
Sipas modelit për të cilin është arritur pajtim mes konservatorëve të kancelarit Friedrich Merz dhe socialdemokratëve të qendrës së majtë, do të ndërtohej një sistem hibrid i ndërtuar përreth shërbimit vullnetar me opsionin për rekrutim të detyrueshëm, nëse ka nevojë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Njësoj si vendet e tjera evropiane, Gjermania, e cila kishte ushtri prej gati gjysmë milionë pjesëtarësh gjatë Luftës së Ftohtë, i tkurri forcat e armatosura gjatë viteve të paqes në të nëntëdhjetat.
“Do ta bëjmë shërbimin vullnetar më tërheqës, duam që të kemi sa më shumë të rinj të magjepsur për shërbimin ndaj vendit të tyre” – tha Jens Spahn, shef i grupit parlamentar të partisë së Merzit.
“Nëse në fund shërbimi vullnetar nuk është i mjaftueshëm, do të jetë një element detyrimi” – shtoi ai.
Përballë kërcënimeve të perceptuara nga Rusia dhe presionit të madh nga aleatja tradicionale e Gjermanisë, ShBA-ja, Merzi është zotuar se do ta bëjë “Bundeswehr”-in ushtrinë konvencionale më të fortë në Evropë.
Tani për tani, ushtria gjermane ka rreth 182 mijë trupa të uniformuara dhe e ka vënë si qëllim rritjen e këtij numri në 255.000 deri në 270.000, me 200.000 të tjerë si rezervistë.
Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, vitin e kaluar paralajmëroi se Gjermania duhet të jetë e gatshme për luftë deri në vitin 2029 dhe para se administrata e Merzit ta merrte pushtetin në maj, deputetët u pajtuan për një përmbysje të pashembullt të rregullave për t’i rritur shpenzimet e mbrojtjes me miliarda euro./Nacionale