Partia pro BE-së e presidentes Maia Sandu i fiton zgjedhjet parlamentare në Moldavi
Partia në pushtet me qëndrime pro Bashkimit Evropian shënoi fitore ndaj rivales me prirje pro-ruse në zgjedhjet kyçe parlamentare në Moldavi, sipas rezultateve të publikuara të hënën. Rezultati e tregon vullnetin e popullit moldav për t’u anëtarësuar në BE dhe për t’u liruar nga orbita e Moskës.
Performanca e fuqishme e Partisë së Veprimit dhe Solidaritetit, pjesë e së cilës është edhe presidentja Maia Sandu, kundër Bllokut Patriotik do të jetë lehtësim për Qeverinë dhe për partnerët e saj evropianë, të cilët e kishin akuzuar Moskën se po mundohej të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sondazhet e zhvilluara para zgjedhjeve i vendosnin partinë e presidentes dhe Bllokun Patriotik në garë të ngushtë. Rezultati pothuajse përfundimtar nga Komisioni Zgjedhor i lejon Qeverisë që ta vazhdojë ndjekjen e qëllimit për anëtarësim të vendit në BE deri në vitin 2030.
Pas numërimit të pothuajse të gjitha votave, Partia e Veprimit dhe Solidaritetit fitoi 50,1 për qind të votave, ndërsa Blloku Patriotik 24,2 për qind.
Qeveria e zonjës Sandu i kishte paralajmëruar moldavët se Rusia kishte bërë përpjekje që të ndikonte në zgjedhje përmes një fushate të gjerë të dezinformimit dhe blerjes së votave.
Stanislav Secrieru, këshilltar për siguri kombëtare i presidentes, tha se infrastruktura zgjedhore dhe uebfaqet qeveritare ishin nën sulm kibernetik. Pati edhe kërcënime me bomba në qendra të votimeve në Moldavi e jashtë saj.
Të dielën, bashkudhëheqësi i Bllokut Patriotik, Igor Dodon, ish-president i Moldavisë, bëri thirrje për protesta për të hënën para Kuvendit, duke pretenduar se Sandu po e planifikonte anulimin e zgjedhjeve. Ai nuk ofroi dëshmi për ta mbështetur pretendimin e vet.
Blloku Patriotik dhe grupe të tjera opozitare ishin munduar të tërhiqnin votues për shkak të zemërimit rreth gjendjes jo të lehtë ekonomik dhe ritmit të ngadalshëm të reformave. Inflacioni mbetet i lartë – rreth 7 për qind – ndërsa moldavët ballafaqohen gjithashtu me kosto më të larta për energjinë e importuar.
Sidoqoftë, rezultati pozitiv i partisë së presidentes Sandu në zgjedhje lë të kuptohet se platforma e saj për integrim evropian dhe distancim nga Rusia ende gëzon mbështetje të gjerë nga votuesit./Nacionale