Partia opozitare hungareze del para asaj të Orbanit edhe në sondazhin e dytë - NACIONALE

Partia opozitare hungareze del para asaj të Orbanit edhe në sondazhin e dytë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Partia opozitare hungareze, Tisza, ka një epërsi të vogël kundrejt partisë në pushtet të kryeministrit Viktor Orban, Fidesz, sipas një sondazhi të publikuar të enjten, i dyti këtë javë ku Tisza del para partisë në pushtet.

Kryetari i partisë Tisza, Peter Magyar, dikur njeri i brendshëm i kabinetit qeveritar, u ngrit në skenën e politikës hungareze para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në qershor, kur ndërtoi sfidë të rëndësishme për Orbanin, duke e kapitalizuar pakënaqësinë e hungarezëve me partitë e tjera opozitare, raporton agjencia “Reuters”.

Të mërkurën, në një tubim të partisë Tisza në Budapest u grumbulluan mbi 10 mijë njerëz, kur vendi e shënoi përvjetorin e revoltës së vitit 1956 kundër mbizotërimit sovjetik, që ishte shtypur nga Ushtria e Kuqe.

Në një fjalim që e mbajti në tubim, Magyar, 43 vjeç, njoftoi disa hapa për ta përgatitur partinë për zgjedhjet e vitit 2026. Ai u zotua për çrrënjosjen e korrupsionit, investime në kujdes shëndetësor dhe arsim dhe fillimin e një “dialogu kombëtar” me votues.

Sipas sondazhit të zhvilluar nga Instituti “Publicus” nga data 11 deri më 18 tetor, Tisza ka 39 për qind përkrahje në mesin e votuesve të vendosur, ndërsa partia e Orbanit 37 për qind.

Në një sondazh të publikuar të mërkurën e të zhvilluar nga organizata “21 Research Center” me seli në Budapest, Tisza kishte 42 për qind përkrahje në mesin e votuesve të vendosur, ndërsa partia në pushtet 40 për qind.

Më vonë të enjten, organizata proqeveritare, “Nezopont”, publikoi një sondazh ku partia Fidesz ende kishte epërsi të madhe ndaj Tisza-s në mesin e votuesve të vendosur – 49 me 34 për qind.

Në dy sondazhe të tjera janë publikuar rezultate që tregojnë se partia e Orbanit ka epërsi që po tkurret kundrejt partisë opozitare. Në shumicën e sondazheve, rreth 30 për qind e votuesve janë të pavendosur./Nacionale

Lajme të ngjashme