Partia e Mitsotakis fiton zgjedhjet parlamentare në Greqi - NACIONALE

Partia e Mitsotakis fiton zgjedhjet parlamentare në Greqi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në zgjedhjet parlamentare të së dielës, partia qeverisëse e Greqisë, Demokracia e Re e cila udhëhiqet nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis shënoi një fitore të madhe, mirëpo nuk i fitoi numrat e nevojshëm për të krijuar qeverinë e vetme, pa koalicion.

Ky rezultat rrit gjasat që vendi të shkojë në balotazh të brenda një muaji.

Me shumicën e votave të numëruara, Demokracia e Re, që është parti konservatore, mori një epërsi prej 40.8%, duke mposhtur partinë e së majtës së thellë - Syriza, e cila qeverisi nga viti 2015 deri në vitin 2019, me 20.1%.

Sipas parashikimeve të Ministrisë së Brendshme të Greqisë, Demokracia e Re pritet të sigurojë 145 vende në parlament, vetëm gjashtë vende më pak se që i duheshin për të krijuar një shumicë absolute.

Duke filluar nga e hëna, presidentja greke Katerina Sakellaropoulou do t'u japë tre partive kryesore - Demokracisë së Re, Syriza-s dhe PASOK-ut socialist - tre ditë radhazi për të tentuar të formojnë një qeveri koalicioni.

Nëse të gjitha dështojnë, Sakellaropoulou do të emërojë një qeveri të përkohshme për të përgatitur zgjedhjet e reja rreth një muaj më vonë.

Kryeministri dhe lideri i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis, i cili vazhdimisht ka shprehur dëshirën e tij për një qeveri të fortë njëpartiake, shprehu bindjen se ka marrë një mandat të qartë. /REL

Lajme të ngjashme