Parisi kaplohet nga rriqrat e natës, Qeveria premton masa
Qeveria franceze është zotuar për ndërmarrje të masave “për ta siguruar dhe mbrojtur” publikun, përderisa në kryeqytetin Paris raportohet për përhapje të madhe të një lloj insekti që e thith gjakun e njeriut natën.
Ministri i Transportit, Clement Beaune, tha të premten se do t’i bëjë bashkë operatorët e transportit javën e ardhshme për të ndërmarrë masa të mëtejme si dhe për ta siguruar e mbrojtur publikun nga rritja e raportuar e numrit të insekteve gjakthithëse, raporton televizioni CNN.
Njoftimi vjen pas shtimit të thirrjeve për masa nga qeveria e zyrtarët e Parisit pas publikimit të videove të insekteve të natës në transport publik e në vende të tjera, përfshirë kinematë.
Duke folur të premten në televizionin LCI, nënkryetari i Parisit, Emmanuel Gregoire e quajti “të përhapur” këtë fenomen.
“Duhet të kuptoni se, në realitet, askush nuk është i sigurt, pa dyshim se ka faktorë të rrezikut, por, në realitet, mund të prekeni nga çimkat kudo dhe t’i sillni në shtëpi”- tha ai.
Para tre vjetëve, qeveria franceze kishte nisur një fushatë kundër këtyre insekteve, ku përfshihen një uebfaqe dhe një linjë telefonike për informata, pasi numri i tyre ishte rritur.
Megjithatë, Gregoire tha se “janë 3,6 milionë njerëz që vijnë në Paris përditë dhe çimkat nuk ndalen në periferi të qytetit”.
Një eksperte e organit kombëtar të shëndetësisë e sanitarisë në Francë, Anses, tha se problemi ishte “fenomen në shfaqje në Franë e gati kudo në botë”.
“Është kryesisht për shkak të lëvizjes së njerëzve, udhëtimit të popullsive, faktit që njerëzit qëndrojnë në akomodime afatshkurtra dhe i sjellin çimkat në valixhet e tyre”- tha Johanna Fite nga Departamenti për Vlerësimin e Rrezikut në Anses.
Ajo shtoi se ka eskalim të numrit të këtyre insekteve për shkak se çimkat janë gjithnjë më rezistente ndaj insekticideve.
