Paramilitarët e RSF-së kanë vrarë 31 njerëz në Sudan, thonë aktivistët
Së paku 31 persona janë vrarë e 100 të tjerë janë plagosur që nga koha kur grupi paramilitar, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), përtërinë një sulm në qytetin Sennar, në jug të Sudanit, të dielën, tha një aktivist ligjor.
Disa pjesë të qytetit, përfshirë tregun kryesor, janë vënë në shënjestër me zjarrin e artilerisë së RSF-së, tha grupi “Avokatët Emergjentë”, që e ka vëzhguar vdekjen e civilëve dhe shkeljet e tjera humanitare, raporton agjencia “Reuters”.
Përparimi i RSF-së, që tashmë e kontrollon pjesën më të madhe të qytetit Sennar dhe të paktën gjysmën e vendit, është ngadalësuar në juglindje, pasi reshjet e dendura të shiut e kanë vështirësuar lëvizjen.
Lufta e këtij grupi me ushtrinë sudaneze i ka shkaktuar krizat më të mëdha të urisë dhe zhvendosjes në botë, duke lënë të vrarë dhjetëra mijëra civilë e duke i shkatërruar shumicën e infrastrukturës dhe ekonomisë së Sudanit.
“Avokatët Emergjentë” thanë se ushtria kishte vrarë të paktën katër njerëz në al-Souki, qytezë afër qytetit Sennar, gjatë sulmeve ajrore. RSF-ja vrau një person dhe plagosi 17 përmes sulmeve me artileri në el-Obeid, qytezë tjetër që grupi ka pasur vështirësi për ta kontrolluar plotësisht.
Një mision me mandat nga OKB-ja tha të premten se të dyja palët e luftës civile 18-mujore në Sudan kanë kryer abuzime që mund të përbëjnë krime lufte. Ky mision bëri thirrje për dërgimin e paqeruajtëseve në shtetin afrikan dhe për embargo armësh në nivel vendi.
Të shtunën, Ministria e Jashtme e Sudanit, që anon nga ushtria, i hodhi poshtë të dyja rekomandimet, duke e quajtur idenë e paqeruajtësve “dëshirë të armiqve të Sudanit dhe ajo nuk do të përmbushet”./Nacionale