Paralajmërohen vërshime “kolosale” në Kurgan të Rusisë - NACIONALE

Paralajmërohen vërshime “kolosale” në Kurgan të Rusisë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Një sasi “kolosale” e ujit është duke lëvizur drejt qytetit Kurgan të Rusisë, ka thënë guvernatori rajonal.

Guvernatori Vadim Shumkov tha se Lumi Tobol dhe degët e tij kanë sjellë ujë në nivel dyfish më të lartë se vërshimet e fundit të rëndësishme më 1994, raporton televizioni BBC.

Vërshimet gjatë dy javëve të kaluara e kanë bërë të detyrueshëm evakuimin e dhjetëra mijëra njerëzve nga pjesa veriore e Kazakistanit dhe në zonat kufitare të Rusisë.

Ato shkaktohen nga shkrirja e shpejtë e borës dhe akullit, bashkë me reshjet e dendura.

Përmes llogarisë së tij në rrjetin “Telegram”, Shumkovi u bëri thirrje të gjithë banorëve të zonave të rrezikuara nga vërshimet që të largohen menjëherë nga shtëpitë e tyre, pasi niveli i ujit pritet të shkojë deri në 11 metra mbi normalen.

“Këto nuk janë thjesht vërshime, janë rrezik i vërtetë” – tha zyrtari rus.

“Prandaj, dërgojini fëmijët, të moshuarit, të afërmit me lëvizshmëri të kufizuar dhe fqinjët në një strehimore të përkohshme, ose te miqtë dhe të njohurit. Mblidhini dokumentet dhe gjërat e vlefshme” – porositi ai.

Kurgan – qytet me më shumë se 300 mijë banorë – ndodhet fabrika ushtarake “Kurganmashzavod”, në prodhimin e të cilës përfshihen automjetet luftarake të këmbësorisë dhe tanke të lehta. Ka pasur spekulime nga mediat e huaja të mbrojtjes se në një moment fabrika mund të ndodhet në zonën e vërshimeve.

Edhe banorëve të qytezës Ishim, më në lindje, u është bërë thirrje që të evakuohen për shkak të nivelit të lartë të ujit të lumit me të njëjtin emër.

Qyteti Petropalv, në veri të Kazakistanit, gjithashtu është prekur rëndë nga vërshimet e Lumit Ishim. Disa lumenj hyjnë e dalin mes territoreve të Kazakistanit e Rusisë.

Niveli i ujit në lumenjtë Ishim dhe Tobol, që formojnë një pjesë të sistemit të shtatë më të gjatë lumor në botë, Ob, nuk pritet që ta arrijë pikën më të lartë deri më 23 ose 24 prill.

Lajme të ngjashme