Para bisedimeve me ShBA-në, Rusia i pyet kompanitë se cilat sanksione duan t’u hiqen - NACIONALE

Para bisedimeve me ShBA-në, Rusia i pyet kompanitë se cilat sanksione duan t’u hiqen

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Rusia po kërkon propozime nga kompanitë ruse se cilat sanksione duhet të përfshihen në kërkesën e Moskës për t’u hequr para bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” dy rusë të lidhur me fushën e biznesit, duke shtuar se masat që e pengojnë rrjedhjen e pengesave ndërkombëtare janë më të dhimbshmet.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, të martën tha se është radha e Rusisë që të përgjigjet, pasi Uashingtoni u pajtuar që t’i rinisë ndihmat ushtarake dhe ndarjen e të dhënave të inteligjencës me Kievin. Ukraina tha se do ta pranonte propozimin amerikan për 30 ditë armëpushim me Rusinë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar me taksa më të ashpra ndaj Rusisë, nëse Moska refuzon që të fillojë bisedime të paqes, por edhe lehtësim të tyre, nëse Rusia pajtohet për armëpushim me Ukrainën.

Dy burime industriale ruse thanë se Ministria e Industrisë dhe Tregtisë po kërkon nga kompanitë sugjerime se cilat sanksione duhet të hiqen në mënyrë më urgjente.

Ministria e Industrisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Në përgjithësi, agjencia “Reuters” bisedoi me 12 persona – punonjës në kompani të rëndësishme eksportuese, konsulentë, avokatë, ekonomistë e këshilltarë. Shumica prej tyre kërkuan që të mos u publikoheshin emrat në mënyrë që të flisnin lirshëm.

Personat e pyetur nga agjencia “Reuters” thanë se çështjet e pagesave janë më të mundimshmet, edhe pse tri burime gjithashtu i vunë në pah sanksionet ndaj energjisë, sidomos kufizimet ndaj flotës së anijeve ruse për transportin e karburanteve.

“Gjithçka është bërë shumë më e shtrenjtë, duke i marrë parasysh kostot e sanksioneve dhe rregullimet përmes valutave të treta. Prandaj, gjëja më e rëndësishme, më e rrezikshmja, më e dhimbshmja është kufizimi ndaj ujdive në dollarë” – tha njëri prej tyre.

Kur u pyet për hollësi se cilat sanksione dëshiron Rusia që t’i lehtësohen, Kremlini tha të enjten se beson që të gjitha sanksionet janë të paligjshme dhe duhet të hiqen./Nacionale

Lajme të ngjashme