Papa thotë se inteligjenca britanike e parandaloi vrasjen e tij në Irak
Një komplot për ta vrarë Papa Françeskun gjatë një vizite në Irak ishte parandaluar pas paralajmërimit të ofruar nga inteligjenca britanike, sipas autobiografisë së tij që pritet të botohet në janar.
Papa shkruan se, pas arritjes në Bagdad në marsin e vitit 2021, atij i ishte thënë se një ngjarje ku ai pritet të paraqitej po vihej në shënjestër nga dy sulmues vetëvrasës, raporton televizioni BBC.
Të dy sulmuesit e mundshëm më pas ishin penguar dhe ishin vrarë, thotë papa në disa pjesë të librit që janë publikuar nga gazeta italiane, “Corriere della Sera”.
Vizita, e cila ishte zhvilluar për tri ditë gjatë pandemisë së koronavirusit, ishte e para në Irak nga një papë dhe për të ishte zhvilluar një operacion i gjerë i sigurisë.
Në vitet paraprake kishte shtim të dhunës sektariane në Irak, me luftime mes shiitëve e sunitëve si dhe me përndjekje të pakicave fetare.
Në fragmentet e publikuara, papa thotë se “pothuajse secili më këshilloi kundër” vizitës në Irak, por atij i dukej se “duhej ta bënte”.
Papa thotë se komploti për vrasjen e tij u zbulua nga inteligjenca britanike, e cila e kishte paralajmëruar policinë irakiane.
“Një grua e mbushur me eksploziv, një bombarduese e re vetëvrasëse, po nisej drejt Mosulit për ta hedhur vetën në erë gjatë vizitës së papës” – shkruan ai.
“Dhe një minibus gjithashtu ishte nisur me shpejtësi të lartë me qëllimin e njëjtë” – thuhet më tej në autobiografinë që ende nuk ka dalë nga shtypi.
Papa thotë se kishte pyetur një zyrtar të sigurisë të nesërmen se çfarë u kishte ndodhur sulmuesve të mundshëm.
“[Zyrtari] u përgjigj shkurt: Ata nuk janë më. Policia irakiane i kishte ndalur dhe i kishte hedhur në erë” – shkruhet në librin e ri.
Libri i titulluar “Shpresa” pritet të botohet më 14 janar. Vatikani nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”./Nacionale