Papa Leo i bën thirrje ShBA-së që të mos e provojë rrëzimin e Maduros ushtarakisht - NACIONALE

Papa Leo i bën thirrje ShBA-së që të mos e provojë rrëzimin e Maduros ushtarakisht

1 javë më parë

nga NACIONALE

Papa Leo i bëri thirrje të martën administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, që të mos përpiqet për ta rrëzuar nga pushteti përmes forcës ushtarake presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro.

Leo, papa i parë nga ShBA-ja, tha se do të ishte më mirë nëse tentohet dialogu ose nëse i bëhet presion ekonomik Venezuelës, nëse Uashingtoni dëshiron ndryshime atje, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Administrata e Trumpit ka qenë duke shqyrtuar opsione për ta luftuar atë që e ka portretizuar si rol të Maduros në dërgesat e drogave ilegale që kanë shkaktuar vdekje të amerikanëve. Presidenti socialist venezuelas ka mohuar se ka ndonjë lidhje me tregtinë ilegale të drogës.

Kur u pyet në një konferencë për gazetarë rreth kërcënimeve të Trumpit për ta larguar Maduron nga pushteti me forcë, Papa Leo tha: “Është më mirë që të kërkohen rrugë të dialogut, ose ndoshta të presionit, përfshirë presionin ekonomik.”

Duke folur pas vizitave në Turqi e Liban, ai shtoi se Uashingtoni duhet të kërkojnë mënyra të tjera për ta arritur ndryshimin, “nëse kjo është ajo që duan ta bëjnë në Shtetet e Bashkuara”.

Agjencia “Reuters” raportoi muajin e kaluar se në mesin e opsioneve që po shqyrtoheshin nga Shtetet e Bashkuara ishte një përpjekje për ta rrëzuar Maduron nga pushteti.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, Papa Leo gjithashtu tha se sinjalet që po vijnë nga administrata e Trumpit për politikat e saj ndaj Venezuelës janë të paqarta.

“Në njërën anë, duket se kishte një telefonatë mes dy presidentëve. Në anën tjetër, ka rrezik, ekziston mundësia që të ketë ca aktivitete, ca operacione [ushtarake]” – shtoi ai.

Papa me prejardhje nga Chicago është i njohur me Amerikën Latine, sepse ka kaluar kohë të gjatë si klerik në Peru./Nacionale

Lajme të ngjashme