Papa Françesku u bën thirrje rebelëve sirianë që ta stabilizojnë vendin - NACIONALE

Papa Françesku u bën thirrje rebelëve sirianë që ta stabilizojnë vendin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Papa Françesku të mërkurën u bëri thirrje rebelëve sirianë që ta stabilizojnë vendin dhe të qeverisin në një mënyrë që e promovon unitetin kombëtar pas rrëzimit të presidentit Bashar al-Assad.

“Shpresoj që ata të gjejnë zgjidhe që, pa konflikte ose përçarje të tjera, t’i promovojnë në mënyrë të përgjegjshme stabilitetin dhe unitetin e vendit” – tha Françesku në fjalimin e tij javor në Vatikan, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në komentet e para publike për Sirinë që nga përfundimi i sundimit të Assadit, Papa Françesku gjithashtu u bëri thirrje grupeve të larmishme fetare të vendit që “të ecin së bashku në miqësi dhe respekt të ndërsjellë për të mirën e kombit”.

Papa Françesku, si udhëheqës i Kishës Katolike me 1,4 miliard anëtarë, shpesh flet për konfliktet globale dhe zakonisht e thekson rëndësinë e depërshkallëzimit.

Ai e ka kritikuar vrasjen e njerëzve në konfliktin sirian në periudha të ndryshme ndër vite. Më 2016, ai e kishte bërë veprimin e pazakonshëm, duke e bërë ambasadorin e Vatikanit në Siri kardinal, titulli i dytë më i lartë pas papës.

Rreth 90 për qind e popullsisë së Sirisë është myslimane. Të krishterët kanë prani historike në këtë shtet, por janë pakicë e vogël. Vatikani vlerëson se në mesin e popullsisë prej 25 milionë banorësh, në Siri jetojnë rreth 300 mijë katolikë.

Lajme të ngjashme