Pamjet satelitore tregojnë se Irani po riparon dhe fortifikon disa objekte
Disa pamje satelitore tregojnë se Irani rishtazi ka ndërtuar një mburojë betoni mbi një objekt të ri në një zonë të ndjeshme ushtarake dhe e ka mbuluar me dhe, thonë eksperët, duke e avancuar punën në një lokacion që raportohet se ishte bombarduar nga Izraeli më 2024.
Fotografitë gjithashtu tregojnë se Irani i ka mbuluar me dhe hyrjet e tuneleve në një qendër bërthamore të bombarduar nga forcat amerikane gjatë luftës 12-ditore me Izraelin vitin e kaluar, i ka fortifikuar hyrjet e tuneleve afër një qendre tjetër dhe i ka riparuar bazat e raketave që ishin goditur gjatë konfliktit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rreth 30 kilometra në juglindje të Teheranit, kompleksi “Parchin” është njëra nga qendrat më të ndjeshme ushtarake të Iranit. Inteligjenca perëndimore ka sugjeruar se Teherani para më shumë se dy dekadave kreu aty teste përkatëse për detonime të bombës bërthamore.
Irani gjithmonë ka mohuar se synon të prodhojë armë bërthamore. Thuhet se Izraeli e kishte goditur kompleksin “Parchin” në tetorin e vitit 2024.
Pamjet satelitore të bëra para dhe pas atij sulmi shfaqin dëm të konsiderueshëm ndaj një ndërtese drejtkëndore në “Parchin” dhe rindërtimin e dukshëm në fotografitë e 6 nëntorit të vitit 2024.
Në pamjet e datës 12 tetor 2025 shfaqin zhvillim në atë qendër. Skeleti i një strukture të re është i dukshëm si dhe dy struktura më të vogla ngjitur me të. Progresi është i dukshëm nga pamjet e bëra më 14 nëntor, me atë që duket si kulm metalik që e mbulon strukturën e madhe.
Sidoqoftë, në pamjet e datës 13 dhjetor, objekti shihet pjesërisht i mbuluar. Më 16 shkurt, ai nuk mund të shihet fare, i fshehur nga ajo që ekspertët thonë se është strukturë betoni.
Instituti për Shkenca dhe Siguri Ndërkombëtare (ISIS), në një analizë të këtyre pamjeve më 22 janar, e theksoi progresin në ndërtimin e një “sarkofagu të betonit” përreth një objekti të ndërtuar rishtazi në atë qendër, të cilin e identifikoi si “Taleghan 2”.