Pamje: Vazhdon bora e madhe në Korenë e Jugut, katër të vdekur
Koreja e Jugut u ballafaqua me reshje të dendura të borës për ditën e dytë rresht të enjten. Dhjetëra fluturime janë anuluar, operacionet e trageteve janë pezulluar dhe të paktën katër persona raportohet se kanë vdekur, edhe pse moti shfaqi shenja të zbutjes.
Reshjet e së enjtes ishin të tretat më të mëdhatë në kryeqytetin Seul që nga fillimi i regjistrimit të të dhënave më 1907, raportoi agjencia koreane e lajmeve, “Yonhap”. Të mërkurën u thye rekordi i sasisë së borës për nëntor, raporton gazeta “The Guardian”.
Më shumë se 40 centimetra borë tashmë janë grumbulluar në disa pjesë të Seulit deri në orën 8 të mëngjesit të enjten, duke e bërë të detyrueshëm anulimin e mbi 140 fluturimeve, edhe pse zyrtarët e motit i shfuqizuan paralajmërimet për borë të madhe në zonën metropolitane nga ora 10 e paradites.
Një person vdiq dhe dy të tjerë u lënduan në një fushë golfi, pasi një rrjetë e stërngarkuar me borë u shemb të mërkurën vonë, ndërsa një njeri tjetër vdiq nga shembja e një tende mbrojtëse në një parking, raportuan mediat.
Të paktën dy njerëz të tjerë e humbën jetën nga aksidentet në autostrada në lindje të kryeqytetit. Policia tha se 11 njerëz u lënduan të mërkurën në mbrëmje në një aksident masiv me 53 automjete në një autostradë në qytetin Wonju.