Pamje: Radhë e gjatë për funeralin e Navalnyt në Moskë
Gazeta “The Guardian” ka publikuar një radhë të gjatë të njerëzve që po formohet para hyrjes së kishës ku do të mbahet funerali për kritikun e famshëm të presidentit Vladimir Putin të Rusisë, Alexei Navalny.
Reporteri i gazetës britanike, Pjotr Sauer, publikoi një video në rrjetin X ku shumë njerëz shihen duke pritur në radhë. Thuhet se videoja është incizuar nga Vasiliy Polonsky të premten në mëngjes, rreth dy orë para funeralit.
A long line has formed before the entry to the Church of the Icon of the Mother of God Soothe My Sorrows where Navalny’s memorial service will take place in just under two hours https://t.co/G0oJtu1awh pic.twitter.com/IcVHLDI7CQ
— Pjotr Sauer (@PjotrSauer) March 1, 2024
Rreth një orë e gjysmë para fillimit të funeralit, aleatët e Navalnyt thanë se rreth një mijë njerëz ishin grumbulluar afër kishës në Moskë për t’ia dhënë lamtumirën e fundit. Agjencia “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte në mënyrë të pavarur këtë shifër.
Kremlini tha se çfarëdo tubimi pa leje nga autoritetet në përkrahje të opozitarit të ndjerë, që do të varroset të premten, do ta shkelë ligjin.
Në një bisedë me gazetarë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, refuzoi që të jepte ndonjë vlerësim për Navalnyn si figurë politike dhe tha se nuk kishte asgjë për të thënë as për familjen e Navalnyt.
“Vetëm një përkujtim që ne kemi një ligj që duhet të ndiqet. Çfarëdo tubimi i paautorizuar do të jetë në shkelje të ligjit dhe ata që marrin pjesë në to do të mbahen përgjegjës – prapë, në vijë me ligjin e tanishëm” – tha Peskovi.
Navalny vdiq papritmas më 16 shkurt në një burg në pjesën veriore të Rusisë, ku ishte duke vuajtur dënime me gjithsej mbi 30 vite burgim.