Pamje: Policia e Ekuadorit hyn me forcë në ambasadën e Meksikës, ndërpriten raportet - NACIONALE

Pamje: Policia e Ekuadorit hyn me forcë në ambasadën e Meksikës, ndërpriten raportet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Meksika i ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Ekuadorin, pasi policia e këtij shteti e bastisi ambasadën meksikane në Quito për ta arrestuar ish-presidentin ekuadorian, Jorge Glas.

Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, tha se policët “hynë me forcë” në ambasadë në “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”, raporton televizioni BBC.

Glas ishte strehuar në ambasadë në dhjetorin e kaluar, pasi Ekuadori kishte lëshuar urdhërarrest kundër tij si i dyshuar për korrupsion. Avokati i ish-presidentit ka thënë se klienti i tij është i pafajshëm.

Glas shërbeu si nënpresident i Ekuadorit mes viteve 2013 e 2017. Ai ishte liruar nga detyra pas akuzave për korrupsion.

Më vonë atë vit, ai ishte dënuar me gjashtë vite burgim për korrupsion me gjigantin brazilian të ndërtimit, “Odebrecht”. Prokurorët kanë thënë se Glas kishte marrë 13,5 milionë dollarë ryshfet.

Glas ishte liruar nga burgu në nëntor, por autoritetet e Ekuadorit pastaj lëshuan një urdhërarrest tjetër nën akuza të mëtejme për korrupsion, duke e nxitur ish-presidentin që të kërkonte strehim në ambasadën meksikane.

Të premten, Meksika tha se i kishte dhënë Glasit azil politik “pas një analize të plotë” të situatës – veprim që Ekuadori e cilësoi të paligjshëm.

“Ekuadori është vend Sovran dhe ne nuk do të lejojmë asnjë kriminel që të qëndrojë i lirë” – tha përmes një deklarate Presidenca e Ekuadorit.

Në anën tjetër, presidenti meksikan tha se ka dhënë urdhër për pezullimin e menjëhershëm të marrëdhënieve diplomatike me Ekuadorin pas hyrjes me forcë në ambasadën e vendit të tij.

Lajme të ngjashme