Pamje: Pas Zelenskyt, Trumpi e “sakaton” live edhe presidentin e Afrikës së Jugut
Një takim që ishte organizuar me qëllim të uljes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Afrikës së Jugut u përcoll me debat të tensionuar mes presidentëve të këtyre vendeve, Donald Trump e Cyril Ramaphosa. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha drejtpërdrejt para gazetarëve se bujq të racës së bardhë po vriten dhe po persekutohen në Afrikën e Jugut.
Të mërkurën, një javë pasi Shtetet e Bashkuara u dhanë azil gati 60 banorëve të Afrikës së Jugut, vendim që e ka acaruar shtetin afrikan, presidenti Ramaphosa e vizitoi Shtëpinë e Bardhë për t’i rregulluar marrëdhëniet mes dy vendeve, raporton televizioni BBC.
Sidoqoftë, Trumpi e befasoi homologun mysafir gjatë një konference të drejtpërdrejtë para gazetarëve me pretendime për “gjenocid ndaj racës së bardhë” në Afrikën e Jugut.
Ai madje lëshoi një video ku shfaqej një ekspozitë gjatë një proteste me disa kryqe buzë një rruge, duke pretenduar se ato ishin hapësirë e varreve të fermerëve të vrarë të racës së bardhë.
Trumpi tha se nuk e dinte se ku ishte bërë incizimi në Afrikën e Jugut. Në të vërtetë, ato kryqe nuk janë varre të vërteta, por duket se ishin nga një protestë e vitit 2020, pasi një çift bujqish ishte vrarë në provincën Kwa-Zulu Natal. Organizatorët kishin thënë në atë kohë se po bënin një ekspozitë që i përfaqëson bujqit e vrarë për dy vjet.
Para takimit të së mërkurës në Shtëpinë e Bardhë, presidenti jugafrikan theksoi se përmirësimi i marrëdhënieve tregtare me Shtetet e Bashkuara ishte prioritet i tij. Eksportet e Afrikës së Jugut në ShBA ballafaqohen me 30 për qind taksë porsa të përfundojë pezullimi i taksave të reja të Trumpit në korrik.
Sidoqoftë, Trumpi pati “dhurata” të tjera. Para gazetarëve, ai paraqiti në letër lajme të njerëzve të racës së bardhë që ishin sulmuar në Afrikën e Jugut. Presidenti amerikan tha se do të kërkonte një “sqarim” nga mysafiri rreth pretendimeve për “gjenocid” ndaj njerëzve të racës së bardhë në Afrikën e Jugut.
Përpos kritikave ndaj mysafirit, Trumpi u kap edhe me një gazetar, i cili e pyeti rreth një aeroplani luksoz të Katarit, për të cilin presidenti amerikan ka thënë se do t’i bëhet dhuratë dhe do ta pranojë.
Përderisa po i shfaqte lajmet e shtypura në letër, Trumpi tha: “... e ai [gazetari] pyet për një aeroplan që u dha. Duhet të turpërohesh nga vetja. Ti je shumë i keq, je një reporter aq i keq.”