Pamje: Forcat detare ukrainase thonë se kanë shkatërruar një traget rus
Forcat detare të Ukrainës konfirmuan të premten se kishin shkatërruar një traget në portin rus të Kavkazit që përdorej për të dërguar karburante dhe armë në Krimenë e pushtuar.
Autoritetet lokale kishin thënë më herët se tragetit i ishte vënë flaka dhe ishte dëmtuar nga sulmi i së enjtes ndaj portit në rajonin jugperëndimor rus të Krasnodarit, raporton agjencia “Reuters”.
“Një objektiv tjetër pa dyshim ushtarak është shkatërruar. Qëllimi i tij ishte që t’u ofrohej karburant pushtuesve. Trageti u fundos dhe ky port [Kavkaz] nuk është i përdorshëm derisa të largohet trageti” – tha zëdhënësi i forcave detare ukrainase, Dmytro Pletenchuk.
“Ishin tragetet që përbënin tri të katërtat e tërë logjistikës dhe ishin kanali kryesor [i furnizimit]”- shtoi ai.
Trageti ishte duke bartur 30 cisterna me naftë, tha Fyodor Babenkov, udhëheqës distrikti në qytezën Temryuk, ku përfshihet edhe porti. Ai tha se trageti kishte pësuar dëm të konsiderueshëm si rezultat i sulmit, veprimi më i ri i Kievit ndaj territorit rus në kohën kur lufta e Moskës në Ukrainë po vazhdon.
Porti i Kavkazit është njëra nga qendrat më të mëdha ruse në Detin e Zi. Në të ankorohen anije për eksport si dhe për furnizim me karburant për Krimenë, e pushtuar nga forcat ruse më 2014.
Ukrainian Defence Forces dealt a strike on a ferry with fuel tanks in the port “Kavkaz” in the Temryuk district of the Krasnodar Territory, leading to the closure of the Crimean Bridge. The ferry is now on fire. pic.twitter.com/fnhHxJctZv
— WarTranslated (Dmitri) (@wartranslated) August 22, 2024