Pamje: Desh shkrihet ministri turk, kur Netanyahu ia jep për herë të parë dorën Erdoganit
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, u takua për herë të parë fizikisht të martën në ShBA me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, moment kyç për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat kanë qenë të tensionuara për shkak të politikave ndaj palestinezëve.
Si duket, pesha e këtij takimi më së miri u pasqyrua në fytyrën e ministrit të Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, i cili u pa duke buzëqeshur i ngazëllyer gjatë shtrëngimit të duarve mes dy udhëheqësve. Kryediplomati turk po e shikonte si i mahnitur kryeministrin izraelit, ndërsa kur i erdhi radha për t’ia shtrënguar dorën, u përkul dukshëm në shenjë respekti.
Dy udhëheqësit e zhvilluan takimin gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe u pajtuan që t’i vizitojnë vendet e njëri-tjetrit së shpejti, thuhet në një deklaratë të zyrës së Netanyahut, raporton agjencia “Reuters”.
Televizioni izraelit, “Channel 12 TV”, tha se Erdogani mund të synojë që ta shënojë 100-vjetorin e themelimit të republikës turke muajin e ardhshëm me një vizitë në një xhami në Jerusalem. Nuk pati konfirmim zyrtar të këtij raportimi.
Marrëdhëniet mes dy vendeve ish-aleate kishin rënë në krizë më 2010, pasi forcat izraelite kishin vrarë dhjetë turq gjatë një bastisjeje në një anije të aktivistëve pro-palestinezë, e cila ishte munduar ta thyente bllokadën ndaj Rripit të Gazës.
Ankaraja e kishte dëbuar ambasadorin izraelit, vendim i kthyer mbrapsht më 2016, por i përsëritur dy vjet më vonë për vrasjen e dhjetëra palestinezëve që kishin marrë pjesë në protesta të dhunshme në kufirin e Gazës. Izraeli ishte ankuar se Turqia po shërbente si strehë e udhëheqësve të grupit “Hamas” dhe e kishte dëbuar ambasadorin turk më 2018.
Një vizitë në Turqi e presidentit izraelit, Isaac Herzog, në marsin e vitit të kaluar, e pasuar nga vizitat e kryediplomatëve të të dyja vendeve, ndihmoi për përmirësimin e marrëdhënieve.
Presidenca turke tha se Erdogani dhe Netanyahu diskutuan për tema politike, ekonomike e rajonale si dhe çështjen izraelito-palestineze.
Më tej, në njoftim thuhet se Erdogani i kishte thënë Netanyahut se dy vendet mund të bashkëpunojnë për energji, teknologji, inovacion, inteligjencë artificiale dhe siguri kibernetike.