Pamje: Blinkeni ia thotë këngës në Kiev, përçahet opinioni ukrainas - NACIONALE

Pamje: Blinkeni ia thotë këngës në Kiev, përçahet opinioni ukrainas

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Ishte një moment i papritur në fund të një dite të gjatë në Kiev për sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken, pas disa takimeve të nivelit të lartë dhe prononcimeve serioze, duke premtuar dërgim të shpejtë të ndihmave ushtarake amerikane.

Kryediplomati amerikan kapi një kitarë dhe e këngoi këngën “Rockin’ in the Free World” të Neil Young-ut, bashkë me një bend ukrainas të rokut, raporton gazeta “The Guardian”.

Blinkeni doli në skenë në kafenenë “Barman Dictat”, i mirënjohur në Kiev, i fshehur në bodrum, dhe u bë bashkë me bendin ukrainas, 19.99.

“Ushtarët tuaj, qytetarët tuaj – sidomos në verilindje, në Kharkiv – po vuajnë jashtëzakonisht, por ata duhet të dinë, ju duhet të dini, Shtetet e Bashkuara janë me ju, një pjesë e madhe e botës është me ju dhe ata nuk po luftojnë vetëm për një Ukrainë të lirë, por për botën e lirë. Dhe bota e lirë është me ju, gjithashtu” – tha Blinkeni para se ta niste këndimin.

Një anëtar i bendit tha se atyre u ishte thënë se do të luanin me këngëtarin Neil Young, por u ishte kërkuar që këtë ta mbanin sekret. Ata e kuptuan vetëm në momentin e fundit se mysafiri i tyre do të ishte Blinkeni.

Kitaristi Arsen Gorbach tha se kënga u zgjodh nga sekretari amerikan dhe e përshkroi përformancën si “pikë shumë të rëndësishme të historisë ukrainase dhe historisë kulturore”.

Sidoqoftë, disa e kritikuan performancën, duke e vënë në pikëpyetje këndimin në kohën kur situata në vijën e frontit është përkeqësuar ditëve të fundit.

Trupat ukrainase janë tërhequr nga disa fshatra të rajonit Kharkiv dhe raportohet për luftime intensive përreth qytezës Vovchansk. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka anuluar vizitat e tij të planifikuara në Spanjë dhe Portugali, si duket për t’u marrë me gjendjen në vend.

“Rajoni i Kharkivit po fshihet nga toka, njerëzit po largohen nga shtëpitë e tyre, Kharkivi është nën sulm nga bombat ajrore. Rajoni Sumy po përgatitet dhe një zyrtar i lartë i ShBA-së po këndon këngë në një kafene në Kiev” – shkroi drejtori i një organizate qeveritare në rrjetin “Facebook”.

Lajme të ngjashme