Pamje: Akrobatja kineze rrëzohet për vdekje gjatë performancës në ajër me burrin - NACIONALE

Pamje: Akrobatja kineze rrëzohet për vdekje gjatë performancës në ajër me burrin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një akrobate kineze është rrëzuar për vdekje gjatë një performance në ajër, duke nxitur reagime në rrjete sociale për mungesën e masave të sigurisë.

Gruaja me mbiemrin Sun ra në skenë derisa ishte duke performuar në ajër të shtunën me bashkëshortin e saj në një fshat afër qytetit Suzhou të provincës qendrore, Anhui, raportoi televizioni CNN.

Ajo u dërgua në spital, por vdiq nga lëndimet, njoftoi të hënën qeveria lokale përmes një deklarate.

Në pamjet e publikuara në internet shihet çifti duke u ngritur në ajër me vinç mbi një skenë në mjedis të hapur. Gruaja shihet duke u mbajtur për trupin e burrit. Duart i kishin të kapura në dy litarë të varur në vinç.

Gjatë lëvizjeve në ajër, gruaja i vendosi duart përreth kokës së bashkëshortit, por e humbi kontaktin dhe ra në skenë. Në prapavijë dëgjohen reagimet e personave të pranishëm. Në video shihet se burri u mundua që ta kapte me këmbë gruan, por dështoi.

Pamjet kanë shqetësuar shumë njerëz në rrjete sociale. Shumë persona kanë pyetur se pse gruaja nuk kishte vendosur asnjë rrip sigurie dhe pse nuk kishte rrjeta apo objekte të buta në tokë. Disa të tjerë bërë thirrje për rregulla më të rrepta në industrinë e akrobacisë dhe mbrojtje më të mirë për performuesit.

Shoqata e Akrobatëve të Kinës tha në një deklaratë të dielën se është “e shkatërruar dhe e tmerruar nga tragjedia” dhe bëri thirrje që grupet e akrobatëve dhe performuesve t’u kushtojnë më shumë vëmendje masave të sigurisë.

Lajme të ngjashme