Pamje: Aeroplani rus bën manovër të rrezikshme mes dy luftarakëve amerikanë afër Alaskës - NACIONALE

Pamje: Aeroplani rus bën manovër të rrezikshme mes dy luftarakëve amerikanë afër Alaskës

6 ditë më parë

nga NACIONALE

Ushtria amerikane të hënën publikoi një video të asaj që e quajti manovër të pasigurt nga një aeroplan luftarak rus afër Alaskës gjatë një pengimi nga ushtria amerikane javën e kaluar.

Shtetet e Bashkuara rregullisht bëjnë pengim ajror të aeroplanëve rusë në hapësirën ndërkombëtare afër Alaskës dhe zakonisht thonë se këto veprime kryhen në mënyrë të sigurt dhe profesionale, por zyrtarët thanë se kësaj radhe ishte ndryshe, raporton agjencia “Reuters”.

“Sjellja e një [aeroplani luftarak] Su-35 rus ishte e pasigurt, joprofesionale dhe i rrezikoi të gjithë – jo ajo që do të shihnit te një forcë ajrore profesionale” – tha Gjeneral Gregory Guillot i Forcës Ajrore të ShBA-së, që i mbikëqyr forcat amerikane në Amerikën e Veriut.

Ambasada e Rusisë në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Komanda e Mbrojtjes Aerohapësinore Amerikanoveriore, e njohur si NORAD, tha më 23 shtator se kishte vërejtur dhe përcjellë katër aeroplanë ushtarakë rusë që po vepronin në Zonën Identifikuese të Mbrojtjes Ajrore të Alaskës.

Në atë kohë, NORAD-i kishte thënë se aktiviteti rus “ndodh rregullisht dhe nuk shihet si kërcënim”.

Një zonë identifikuese e mbrojtjes ajrore është hapësirë ajrore ndërkombëtare pak përtej territorit sovran të një shteti, ku aeroplanëve në ardhje u kërkohet që të identifikohen.

Lajme të ngjashme